ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6) disponojnë së bashku rreth 61.7 miliardë dollarë rezerva ndërkombëtare në vitin 2025, sipas të dhënave

Vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6) disponojnë së bashku rreth 61.7 miliardë dollarë rezerva ndërkombëtare në vitin 2025, sipas të dhënave te Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), por më shumë se gjysma e tyre dominohet nga Serbia.
Treguesi i përdorur nga FMN është ai i rezervave totale, me arin të vlerësuar me çmimin e tregut, i shprehur në milionë dollarë amerikanë.
Serbia ka diferencë të theksuar me vendet e tjera të rajonit. Në fund të vitit 2025, rezervat e saj arritën në rreth 34.15 miliardë dollarë me rritje vjetore prej rreth 12%. Me këtë nivel, Serbia zotëron rreth 55.4% të rezervave të kombinuara të WB6, duke pasur më shumë rezerva se pesë vendet e tjera të marra së bashku.
Në vend të dytë renditet Bosnjë-Hercegovina, me rreth 9.42 miliardë dollarë. Vetëm për Bosnjën të dhënat i takojnë vitit 2024 ndërsa vendet e tjera kanë rezultatin e 2025. Rezervat e Bosnjës përbëjnë rreth 15.3% të totalit të llogaritur për rajonin.
Shqipëria renditet e treta në WB6, me rezerva totale prej rreth 8.60 miliardë dollarësh në 2025, nga 6.52 miliardë dollarë në 2024. Brenda një viti, rezervat u shtuan me rreth 2.09 miliardë dollarë, ose me 32%, rritja më e lartë në përqindje ndër pesë vendet e rajonit për të cilat disponohen të dhëna të plota për 2025. Shqipëria përfaqëson rreth 13.9% të rezervave të kombinuara të gjashtë vendeve.
Pas Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut, me rreth 5.80 miliardë dollarë rezerva në vitin 2025. Krahasuar me 5.25 miliardë dollarë në 2024, stoku i rezervave u rrit me rreth 10.5%. Maqedonia e Veriut përfaqëson rreth 9.4% të totalit të llogaritur për WB6.
Mali i Zi kishte rreth 2.20 miliardë dollarë rezerva në 2025, nga 1.74 miliardë dollarë një vit më parë. Rritja vjetore ishte rreth 26.1%, e dyta më e lartë pas Shqipërisë ndër vendet me të dhëna të disponueshme për të dy vitet.
Në fund të renditjes është Kosova, me rreth 1.52 miliardë dollarë rezerva në vitin 2025, nga 1.31 miliardë dollarë në 2024, ose një rritje prej rreth 15.7%.
Shqipëria kryeson për mbulimin e importeve nga rezerva
Shqipëria ka nivelin më të lartë të mbulimit të importeve me rezerva valutore ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, duke ruajtur një pozicion relativisht të fortë përballë goditjeve të mundshme të jashtme.
Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme për vendet e WB6, rezervat valutore të Shqipërisë janë të mjaftueshme për të financuar rreth 7.5 muaj importe mallrash dhe shërbimesh, niveli më i lartë në rajon. Pas Shqipërisë renditet Serbia, ku rezervat mbulojnë rreth 6.7 muaj importe, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë treguesi është rreth 6.5 muaj.
Në një nivel më të ulët ndodhet Maqedonia e Veriut, me rezerva të mjaftueshme për afërsisht 4.4 muaj importe. Për Malin e Zi, mbulimi vlerësohet në rreth 3.5 muaj importe, por ky vend përdor euron si monedhë dhe nuk ka një monedhë kombëtare, çka e bën strukturën e rezervave të ndryshme nga ajo e ekonomive të tjera të rajonit.
Në fund të renditjes është Kosova, ku rezervat korrespondojnë me rreth 2 muaj importe.
Rezervat valutore përbëjnë një nga mekanizmat kryesorë të mbrojtjes financiare të një ekonomie ndaj goditjeve të jashtme. Ato administrohen nga banka qendrore dhe mbahen kryesisht në valuta të huaja, letra me vlerë, ar dhe aktive të tjera ndërkombëtare.
Një nga funksionet kryesore të tyre është garantimi i aftësisë së vendit për të financuar importet dhe për të përmbushur detyrimet e jashtme, edhe në periudha kur hyrjet e valutës në ekonomi bien. Për këtë arsye, niveli i rezervave matet shpesh edhe në raport me numrin e muajve të importeve që ato mund të mbulojnë.
Rezervat shërbejnë gjithashtu si një instrument për ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit. Në rast të luhatjeve të forta të monedhës vendase, banka qendrore mund të ndërhyjë në tregun valutor duke blerë ose shitur valutë.
Një nivel i mjaftueshëm rezervash rrit gjithashtu besimin e investitorëve dhe të tregjeve financiare, pasi tregon se vendi ka kapacitete për të përballuar kriza të mundshme, pagesat e borxhit të jashtëm apo mungesa të përkohshme të valutës.
Në Shqipëri, rezervat valutore kanë rëndësi të veçantë edhe për ruajtjen e stabilitetit financiar, duke pasur parasysh përdorimin e gjerë të euros në kredi, kursime dhe transaksione në ekonomi./Monitor.al
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.