ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Kastriot Hasko, biznesmeni të cilit Prokuroria e Fierit i sekuestroi këtë të enjte mbi 2.6 milionë euro dhe një automjet

Biznesmeni Kastriot Hasko është vënë në qendër të një sekuestrimi të madh nga Prokuroria e Fierit këtë të enjte. Ndaj tij rëndojnë akuza të rënda, ndërsa emri i tij lidhet drejtpërdrejt me konfliktin e bujshëm për pronën në Palasë.
Bëhet fjalë për të njëjtin person që u prezantua publikisht vetëm pak javë më parë si pronar dhe trashëgimtar i 37 hektarëve në bregdet. Pikërisht kjo sipërfaqe u kthye në “mollën e sherrit” mes biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muça.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë operacionit u bllokuan 2,610,195 euro, 1,865,076 lekë dhe 7,515 dollarë cash. Në listën e pasurive të sekuestruara përfshihet edhe një automjet luksoz “Bentley Flying Spur” i vitit 2024. Vlera e deklaruar e blerjes për këtë makinë arrin në 250 mijë euro.
Hasko ndodhet aktualisht nën masën “arrest në shtëpi”. Ai hetohet për veprat penale “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.
Hetimi i Prokurorisë së Fierit ka në fokus regjistrimin e sipërfaqeve të konsiderueshme toke në zonën e Semanit. Dyshohet se këto regjistrime janë kryer përmes dokumenteve të falsifikuara.
Emri i Haskos doli në publik pas përplasjes për pronësinë në Palasë. Pas incidentit mes Bedinajt dhe Muçës, ai dha një intervistë në emisionin “Top Story”. Aty u prezantua si trashëgimtar i ligjshëm i pronës dhe tha se dokumentet ishin përgatitur nga e ëma, me origjinë nga Vunoi, që në vitin 1995. Sipas tij, pasuria u regjistrua në hipotekë një vit më pas, në 1996. Po ashtu pohoi se kishte lidhur kontratë me biznesmenin Bedinaj për zhvillimin e saj.
“Jam Kastriot Hasko, historinë e kësaj prone e ka bërë e ndjera mamaja ime, nga Vunoi. Prona është trashëgimi dhe dokumentet mami im i ka bërë që në ’95 dhe në ’96 është regjistruar në hipotekë”, deklaroi ai për “Top Story”.
Pikërisht dokumentacioni i kësaj pasurie përbënte një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes mes dy investitorëve. Në dosjen e projektit “Regina Collection Palasë”, që i përket kompanisë së Vasil Bedinajt, ishte depozituar një vërtetim hipotekor në emër të Kastriot Haskos. Krahas tij ndodhej edhe kontrata e sipërmarrjes e nënshkruar mes pronarit të tokës dhe zhvilluesit.
Në krahun tjetër, Luan Muça këmbëngulte se toka ku po ndërtonte ishte e blerë prej tij. Ai pretendonte se një pjesë e sipërfaqes së kërkuar nga pala tjetër mbivendosej mbi pronën e tij. Sipas Muçës, investimi në Palasë ka nisur që në vitin 2019. Biznesmeni shprehet se ka blerë rreth 97 mijë metra katrorë tokë dhe më pas ka marrë statusin e investitorit strategjik për projektin e tij.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.