ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Projekti për ndërtimin e një parku eolik me kapacitet 72 MW në jug të Shqipërisë, i licencuar fillimisht në vitin

Projekti për ndërtimin e një parku eolik me kapacitet 72 MW në jug të Shqipërisë, i licencuar fillimisht në vitin 2008, po kalon një tjetër fazë rishikimi. Shoqëria “E-Vento s.r.l Albania” ka kërkuar ndryshimin e konfigurimit të centraleve të planifikuara, duke përqendruar të gjithë kapacitetin në një vendndodhje të vetme.
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) njoftoi se në mbledhjen e 20 tetorit 2026 vendosi të nisë procedurën për modifikimin e licencës së kompanisë, e cila parashikonte dy parqe eolike në zonat Markat-Livadhja dhe Lukovë. Sipas njoftimit të ERE-s, projekti fillestar përfshinte 23 turbina me fuqi 2 MW secila në Markat-Livadhja, me kapacitet 46 MW, dhe 13 turbina të tjera në Lukovë, me kapacitet 26 MW.
Konfigurimi i ri parashikon instalimin e nëntë turbinave me fuqi 8 MW secila, të përqendruara në Njësinë Administrative Markat, Bashkia Konispol. Kapaciteti total prej 72 MW mbetet i pandryshuar. Kërkesa përfshin gjithashtu ndryshimin e afateve të ndërtimit dhe vënies në punë të centralit.
Projekti ka një histori të gjatë procedurash administrative. Licenca fillestare është dhënë më 17 korrik 2008, ndërsa dokumentacioni i ERE-s tregon se afatet për realizimin e tij janë shtyrë disa herë, përfshirë vitet 2009, 2010 dhe 2013. Në vitin 2019, kompania kërkoi një tjetër shtyrje të afateve, duke iu referuar problematikave të hasura gjatë zhvillimit të investimit.
Edhe gjatë vitit 2021, projekti ishte objekt shqyrtimi nga rregullatori lidhur me kushtet e licencimit dhe vendndodhjen e turbinave. Në fund të vitit 2023, ERE mbylli një procedurë administrative për heqjen e licencës së prodhimit, pasi kompania shlyeu detyrimin e prapambetur për pagesën rregullatore.
Zhvillimi i projekteve eolike në Shqipëri ka avancuar më ngadalë krahasuar me energjinë fotovoltaike, e cila ka njohur zgjerim të konsiderueshëm gjatë viteve të fundit, përmes ndërtimit dhe licencimit të centraleve të reja diellore. Ndër projektet e mëdha eolike në zhvillim është edhe ai në Tropojë, ku shoqëria “Eralb Invest 2” ka siguruar deklaratën mjedisore për një park me kapacitet 366 MW, të përbërë nga 60 turbina me fuqi 6,1 MW secila.
Ky park është pjesë e një projekti më të gjerë energjetik, me vlerë të deklaruar rreth 1,2 miliardë euro, që përfshin edhe kapacitete fotovoltaike. Ndërkohë, përmes ankandit të parë shtetëror për energjinë eolike, të përfunduar në korrik 2023, qeveria përzgjodhi tre projekte me kapacitet të përgjithshëm prej 222,48 MW për të cilët nuk ka shumë detaje mbi fazën ku ndodhen.
Për projektin E-Vento, procedura e fundit nuk përbën ende miratim të ndryshimit të licencës. Palët e interesuara mund të paraqesin komente dhe opinione me shkrim pranë ERE-s nga 21 tetori deri më 19 nëntor 2026./Monitor.al/
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.