ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku,

Deputetja e PD-së dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, zhvilli takim në Kuvend me 23 liderë të rinj nga Forumi Ekonomik Botëror. Takimi i hapur u fokusua në sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të vendit, me theks në integrimin europian, ekonomi, investime dhe pastrimin e parave.
Përfaqësues të komunitetit të liderëve të rinj të WEF, përfshirë drejtues biznesi, akademikë dhe profesionistë, diskutuan rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, klimën e investimeve dhe ndikimin e teknologjisë së ardhshme.
Tabaku nënvizoi se vërejtjet e saj ndaj qeverisë rrjedhin nga besimi në potencialin e Shqipërisë. "Unë besoj fort te vendi im. Por sistemi aktual është i kalbur dhe duhet ndryshuar, që bashkëpunimi me partnerët dhe mundësitë që ju përfaqësoni t'i shërbejnë realisht shqiptarëve," u shpreh deputetja.
Sipas saj, potenciali i madh njerëzor, ekonomik dhe natyror i Shqipërisë mbetet i pashfrytëzuar prej një modeli qeverisës që favorizon pakicën. "Një qeverisje për interesat e pakicës nuk mund të ofrojë kapitalizëm konkurrues apo demokraci funksionale. Shqipëria ka nevojë për një ekonomi të shumicës, ku mundësitë varen nga puna dhe aftësia, jo nga lidhjet me pushtetin," deklaroi ajo.
E pyetur për vizionin ekonomik të opozitës, Tabaku theksoi nevojën për të rrëzuar sistemin që përqendron pasurinë në pak duar. "Rruga për një Shqipëri më të mirë kalon përmes çmontimit të ekonomisë që mbyt konkurrencën. Duhet ndërtuar një ekonomi që prodhon mirëqenie për shumicën," shtoi ajo.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua ndikimit të parasë së pistë në ekonomi. Tabaku paralajmëroi se kapitalet me burim të dyshimtë po deformojnë tregun dhe po largojnë investitorët seriozë. "Paraja e pistë po kontaminon ekonominë shqiptare. Fakti që kjo çështje diskutohet gjerësisht edhe jashtë vendit është shqetësues. Ajo dëmton konkurrencën dhe pengon bizneset serioze," u shpreh ajo.
Deputetja kritikoi edhe ligjet që u shërbejnë interesave të veçanta, duke veçuar ligjin për investimet strategjike. "Ligjet me porosi dëmtojnë demokracinë dhe të ardhurat. Ky ligj u përdor për favore politike, ndërkohë që Shqipëria ka nevojë për investime serioze në teknologji, jo për projekte që pasurojnë klientët e qeverisë," deklaroi Tabaku.
Për inteligjencën artificiale, ajo u shpreh se teknologjia duhet përdorur për të fuqizuar qytetarët, jo për t'i kontrolluar. "Shqipëria ka potencial në këtë fushë, por kur sektorët jetikë janë në vështirësi, bëhet e vështirë të ndërtosh një ekonomi që ecën me ritmin teknologjik," tha deputetja.
Në lidhje me politikën e jashtme, Tabaku ripohoi mbështetjen e opozitës për orientimin euroatlantik. "Objektivi ynë kombëtar është Europa. Ne kemi gatishmërinë për reformat, por korrupsioni shpesh përdoret për të justifikuar vonesat," u shpreh ajo. Ajo ritheksuan se rruga e vetme strategjike mbetet integrimi i plotë në BE, duke dalluar nga qeveria për nismën "Open Balkan".
Përfaqësuesit e Forumit Ekonomik Botëror ndodhen në Shqipëri për një vizitë disaditore, gjatë së cilës kanë takuar përfaqësues të të gjitha palëve politike, përfshirë anëtarë të qeverisë dhe shumicës parlamentare.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.