ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Një sulm rus me dronë ndaj një pallati banimi në qytetin Dymer, në rajonin e Kievit, ka shkaktuar të paktën

Një sulm rus me dronë ndaj një pallati banimi në qytetin Dymer, në rajonin e Kievit, ka shkaktuar të paktën 11 viktima dhe gjashtë të plagosur. Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet mes rrënojave për personat që mund të kenë mbetur të bllokuar, ndërsa operacionet po zhvillohen në kushte të vështira për shkak të rrezikut të sulmeve të tjera ruse.
Sulmi ndodhi gjatë natës së 22 nëntorit, kur një dron rus goditi një pallat pesëkatësh në distriktin Vyshhorod. Goditja shkaktoi zjarr dhe shkatërroi një pjesë të ndërtesës, duke dëmtuar të gjitha katet.
Mes të mbijetuarve janë një djalë shtatëvjeçar, dhe një grua 79-vjeçare.I mituri u nxor i gjallë nga rrënojat pas afro 14 orësh, ndërsa e moshuara kishte qëndruar e bllokuar për 22 orë përpara se të shpëtohej dhe të dërgohej në spital.
Operacionet e kërkim-shpëtimit po zhvillohen në kushte të vështira, pasi alarmet e vazhdueshme ajrore dhe rreziku i sulmeve të tjera me dronë i detyrojnë ekipet të ndërpresin punën. Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës paralajmëroi se kërcënimi nga sulmet e përsëritura ruse po pengon kërkimet mes rrënojave.
Autoritetet ukrainase njoftuan se dy nga viktimat e identifikuara ishin një grua 48-vjeçare dhe një 18-vjeçar. Përveç sulmit në Dymer, rajoni i Kievit u godit edhe në dy zona të tjera. Një sulm me dron ndaj një supermarketi në Vyshneve la të vdekur dy persona dhe plagosi tetë të tjerë, ndërsa një goditje në Bila Tserkva shkaktoi vdekjen e një personi dhe plagosjen e katër të tjerëve. Për shkak të viktimave, autoritetet kanë shpallur 23 nëntorin ditë zie në rajonin e Kievit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dënoi sulmet, duke i cilësuar ato si terror të vazhdueshëm ndaj popullsisë. Ndërkohë, Rusia ka shtuar sulmet me dronë dhe raketa ndaj Kievit dhe zonave përreth në muajt e fundit, duke goditur qytetet ukrainase në prag të dimrit.
Në sulmin e fundit në shkallë të gjerë ndaj Kievit, më 20 nëntor, u dëmtua një objekt i infrastrukturës kritike dhe disa ura. Nga ajo goditje humbën jetën të paktën nëntë persona dhe 30 të tjerë u plagosën. Përballë intensifikimit të sulmeve, Zelensky ka kërkuar vazhdimisht nga aleatët përshpejtimin e dërgesave të premtuara të sistemeve të mbrojtjes ajrore, veçanërisht raketave amerikane PAC-2 dhe PAC-3.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.