ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Në vijim të videomesazhit drejtuar shqiptarëve, kryeministri Edi Rama foli edhe për dhuratat që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës,

Kryeministri Edi Rama u ndal te dhuratat e marra gjatë viteve në detyrë. Në videomesazhin drejtuar qytetarëve shqiptarë ai sqaroi se çdo dhuratë është regjistruar si pasuri e shtetit. Sipas tij, ato ruhen sot në muze dhe nuk janë mbajtur për përdorim personal.
Shefi i qeverisë theksoi se pasuria, paratë dhe favoret nuk kanë ndikuar tek bindjet e tij. Objektivi i tij mbetet transformimi i vendit dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky është misioni për të cilin punon, tha ai.
Në fjalën e tij, Rama bëri edhe një krahasim me paraardhësin në krye të ekzekutivit.
“Orët më janë dhuruar mua, jo nga kriminelë, por miq të fuqishëm. Ndryshe nga paraardhësi im, që ka përlarë të gjitha dhuratat, unë i kam regjistruar si prona të shtetit shqiptar. Çfarë më vjen mua si kryeministër dhe çfarë më takon, nuk vjen që ta kem për veten time. Unë udhëtoj privatisht. Ose makina ime merret me qira nga qeveria, jo partia”, u shpreh ai.
Rama pranoi se ka përgjegjësitë e veta. Mund të ketë bërë gabime, tha ai, por paraja dhe interesat nuk e kanë lëkundur.
“E them prapë, me siguri unë i kam fajet e mia. Mund të kem më shumë gabime, por kurrë paraja, prona apo favoret e çdo lloji nuk e kanë përkulur dot bindjen time se në këtë rrugë unë jam për të dhënë, jo për të marrë”, deklaroi kryeministri.
Ai shtoi se ambicia e tij nuk lidhet me pasurimin.
“Jam për të bërë histori, jo për të bërë pasuri. Jam për të transformuar Shqipërinë. E dua me flamurin sa më lart, në tryezat sa më të larta. E dua në BE, me drejtësi të pavarur prej meje dhe nga çdo kryeministër pas meje”, tha Rama.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.