ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Prokurorët në Nju Jork pritet të ngrenë akuza të reja kundër ish-presidentit venezuelian Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, lidhur me pretendimet për torturimin e shtetasve amerikanë që mbaheshin në paraburgim nga qeveria venezueliane vitet e fundit. Kjo, sipas CNN, është bërë e

Prokurorët në Nju Jork pritet të ngrenë akuza të reja kundër ish-presidentit venezuelian Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, lidhur me pretendimet për torturimin e shtetasve amerikanë që mbaheshin në paraburgim nga qeveria venezueliane vitet e fundit.
Kjo, sipas CNN, është bërë e ditur nga disa persona të njohur me hetimin, sipas të cilëve, një njoftim mund të bëhet që të enjten.
Akuzat e reja lidhen me atë që qeveria amerikane e ka cilësuar si ndalim të padrejtë të më shumë se një duzine shtetasish amerikanë në burgjet venezueliane, gjatë kohës kur Maduro drejtonte një regjim shtypës në Venezuelë, thanë personat e informuar mbi hetimin.
Hetuesit kanë diskutuar gjithashtu mundësinë e ngritjes së akuzave ndaj disa personave të tjerë për rolin e tyre të pretenduar në torturimin e amerikanëve, sipas një burimi të njohur me çështjen.
CNN thotë se ka kontaktuar avokatët e Maduros dhe Floresit.
Maduro dhe bashkëshortja e tij u kapën gjatë një operacioni ushtarak amerikan në janar, në pallatin presidencial në Karakas.
Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e komplotit për narkoterrorizëm dhe akuza të tjera, dhe po mbahen në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht në Nju Jork.
Flores pritet të dalë në një seancë dëgjimore të enjten, ku avokati i saj do të kërkojë që ajo të kalojë në arrest shtëpie para fillimit të gjyqit.
Avokati i Maduros po konteston ligjshmërinë e arrestimit dhe argumenton se ish-presidenti duhet të gëzojë imunitet, pasi veprimet e pretenduara kanë ndodhur ndërsa ai ishte në detyrë.
Por qeveria venezueliane nuk po kërkon njohjen e imunitetit në emër të tij, sipas prokurorisë.
Pretendimet për torturë
Më shumë se një duzinë amerikanësh u ndaluan nga qeveria e Maduros, e cila u akuzua nga qeveria amerikane dhe nga aktivistë të ndryshëm se i përdorte ata si mjete për qëllime politike.
Disa nga amerikanët kanë folur hapur për torturat të cilave u janë nënshtruar gjatë kohës që ishin të burgosur.
Matthew Heath dhe Osman Khan, të cilët u liruan në kuadër të një shkëmbimi të burgosurish në tetor të vitit 2022, pretenduan në një padi se ishin nënshtruar ndaj metodave të torturës si mbytja e simuluar me ujë (waterboarding), goditjet me rrymë elektrike, kërcënimet për sulme seksuale, përdorimi i drogave që ndikojnë në gjendjen mendore dhe periudha izolimi të plotë.
Heath, një veteran i Marinës së SHBA-së, tentoi të vriste veten ndërsa mbahej në paraburgim.
“CITGO 6” – një grup prej gjashtë drejtuesish amerikanë të industrisë së naftës, të cilët u joshën për të shkuar në Venezuelë në vitin 2017 dhe u mbajtën në paraburgim për gati pesë vjet – gjithashtu deklarojnë se janë trajtuar në mënyrë brutale gjatë kohës që mbaheshin të burgosur në Venezuelë.
Në paditë e ngritura kundër punëdhënësit të tyre, kompanisë Citgo, Tomeu Vadell, Alirio Jose Zambrano dhe Jose Luis Zambrano thanë se ishin nënshtruar ndaj torturës gjatë burgosjes.
Të gjithë ata ishin mbajtur në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Kundërzbulimit Ushtarak (DGCIM) – një institucion famëkeq që, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, ishte “përgjegjës për arrestime arbitrare, keqtrajtime dhe tortura ndaj kundërshtarëve politikë dhe familjarëve të tyre”.
Raporti në fjalë konstatoi se DGCIM-ja “përdorte rregullisht” praktika torture – “duke përfshirë goditjet me rrymë, mbytjen me qese plastike, simulimin e mbytjes në ujë (waterboarding), rrahjet, dhunën seksuale, privimin nga uji dhe ushqimi, mbajtjen në pozicione trupore torturuese dhe ekspozimin ndaj temperaturave ekstreme” – me qëllim që “të nxirrte informacione dhe rrëfime, si dhe për të frikësuar e ndëshkuar të arrestuarit”. /ABC24.AL/
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.