ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Sigurimi i detyrueshëm i automjeteve do të ofrojë mbulim më të gjerë për personat e dëmtuar në aksidente, përfshirë edhe

Sigurimi i detyrueshëm i automjeteve do të ofrojë mbulim më të gjerë për personat e dëmtuar në aksidente, përfshirë edhe pasagjerët, ndërsa parashikohen kufij më të lartë dëmshpërblimi dhe procedura më të shpejta për marrjen e kompensimit. Këto janë disa nga ndryshimet që sjell projektligji i ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit.
Nevoja për ndryshime vjen pasi ligji aktual, i miratuar në vitin 2021, nuk është plotësisht i përafruar me standardet e Bashkimit Evropian. Ai ka paqartësi në përkufizimin e mjeteve motorike dhe përdorimit të tyre, ndërsa mungojnë disa mekanizma që do të garantonin më shumë transparencë dhe mbrojtje për qytetarët, veçanërisht në rastet kur kompania e sigurimit falimenton.
Me kuadrin e ri, sigurimi i detyrueshëm do të mbulojë shprehimisht edhe dëmet që pësojnë pasagjerët, këmbësorët dhe përdoruesit e tjerë të rrugës. Pra, mbrojtja nuk do të kufizohet vetëm te personat jashtë automjetit.
Një tjetër ndryshim lidhet me dëmshpërblimin. Projektligji parashikon rritjen e kufirit për trajtimin e përshpejtuar të dëmeve të vogla ndaj pronës, nga 100 mijë në 250 mijë lekë. Këto kërkesa do të duhet të paguhen brenda 14 ditëve nga paraqitja e tyre.
Qytetarët do të mund të marrin gjithashtu pa pagesë një dokument që pasqyron historikun e dëmeve të tyre për pesë vitet e fundit. Ky dokument do të ndihmojë në vlerësimin e primit të sigurimit dhe do të lehtësojë kalimin nga një kompani te tjetra.
Projektligji parashikon edhe një periudhë 15-ditore pas përfundimit të kontratës, gjatë së cilës sigurohet vijimësia e mbulimit sipas kushteve të përcaktuara në ligj. Ndërsa, në rastet kur mjeti shkaktar i aksidentit është i pasiguruar ose nuk identifikohet, forcohen mekanizmat për kompensimin e të dëmtuarve përmes Fondit të Kompensimit.
Disa prej ndryshimeve, përfshirë kufijtë e rinj të mbulimit dhe mekanizmat e sigurimit në nivel evropian, do të zbatohen me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Deri atëherë do të funksionojnë rregullat kalimtare.
Përmes këtij projektligji, synohet një treg më transparent dhe më pranë standardeve evropiane, por mbi të gjitha, më shumë siguri për qytetarët që pësojnë dëme në aksidente rrugore.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.