ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Në një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News, avokati Edmond Petraj foli për ndryshimet e reja në Kodin

Në një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News, avokati Edmond Petraj foli për ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale.
Ai theksoi se nga këto ndryshime në fokus janë të drejtat e njeriut dhe se ka korrigjime në reformë.
“Në përgjithësi, po të shikosh Kodin e ri të Procedurës Penale, avokati ka shumë akses dhe të drejta, por problemi është se ato nuk zbatohen. Kemi një dualitet të pushtetit. Organi i akuzës, prokurori dhe gjykata nuk i zbatojnë kërkesat që bën avokati, edhe pse ato janë pjesë e procedurës dhe parashikohen nga ligji. Avokati kërkon diçka që i takon sipas ligjit, por shpesh nuk merret parasysh. Ku do të ankohesh? Në shumë raste, nuk ke ku të ankohesh. Edhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë nuk funksionon siç duhet. Shumë institucione nuk funksionojnë, ndaj mendoj se duhet rishikuar i gjithë mekanizmi”, tha ai.
Gjatë intervistës, avokati Petraj shtoi se sipas tij aktualisht ka abuzime dhe se ka prokurorë dhe gjyqtarë që sot janë jashtë kontrollit.
“Ka abuzime pafund. Ka dosje ku prokurori, bazuar në bindjen e tij ose në një dyshim të arsyeshëm, kërkon dënimin e një personi. Por problemi është se gabimin e prokurorit e pëson edhe gjyqtari, kur gjykata mban anën e prokurorisë dhe jo të drejtës.
Më e forta është se në shumë raste thjesht legalizohet gabimi dhe dosja e prokurorit. Ka qytetarë pafund që janë prekur nga diletantizmi, egoizmi dhe aventurizmi i prokurorëve dhe gjyqtarëve. Ka prokurorë dhe gjyqtarë që sot janë jashtë kontrollit. Duhet ta kontrollojnë mekanizmat përkatës, si Inspektorati i Lartë i Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Por problemi është se këto mekanizma, deri tani, nuk kanë funksionuar siç duhet. Për këtë arsye, duhet rishikuar pozicioni dhe mekanizmi i kontrollit. Avokatit duhet t’i jepen kompetenca të reja dhe të forcohet realisht roli i tij në proces”, nënvizoi ai.
Më tej theksoi se duhet të rregullohet Kodi i Procedurës Penale dhe të forcohen edhe masat administrative. Sipas tij vetëm përmes një sistemi të qartë përgjegjësie mund të përmirësohet situata.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.