ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Plot 390 studentë kanë nisur studimet Bachelor në Fakultetin “Siguria dhe Hetimi” në Akademinë e Sigurisë, me rastin e çeljes

Plot 390 studentë kanë nisur studimet Bachelor në Fakultetin “Siguria dhe Hetimi” në Akademinë e Sigurisë, me rastin e çeljes së vitit të ri akademik.
I pranishëm në ceremoninë e hapjes ishte ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, i cili theksoi rëndësinë e formimit profesional të brezit të ri të punonjësve të Policisë së Shtetit, duke nënvizuar se cilësia e shërbimit ndaj qytetarëve nis që nga bankat e Akademisë së Sigurisë.
“Policia që duam të kemi nesër fillon nga Akademia që ndërtojmë sot”, u shpreh Demo gjatë fjalës së tij.
Ministri bëri të ditur se në takimin me stafin akademik ka kërkuar hartimin e një qasjeje të plotë për zhvillimin e institucionit, duke vendosur në fokus një vizion afatgjatë dhe objektiva konkrete për modernizimin e Akademisë.
Sipas tij, Akademia e Sigurisë duhet të ketë një plan të qartë zhvillimi për pesë vitet e ardhshme, i mbështetur te rritja e cilësisë së mësimdhënies, mbështetja për pedagogët, investimet në infrastrukturë dhe teknologji, si edhe zgjerimi i bashkëpunimit me akademitë më prestigjioze evropiane të sigurisë.
“Formim më cilësor, mbështetje për pedagogët, investime në infrastrukturë e teknologji dhe partneritet i qëndrueshëm me akademitë më të mira evropiane. Puna në Akademi duhet të jetë nder dhe përgjegjësi, sepse këtu përgatiten njerëzit që do t’i shërbejnë qytetarit për dekada”, deklaroi ministri.
Demo theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme do të ofrojë mbështetje konkrete për zhvillimin e Akademisë, por shtoi se kjo duhet të shoqërohet me objektiva të matshëm, afate të qarta dhe angazhim të vazhdueshëm nga stafi akademik dhe drejtuesit e institucionit.
Sipas tij, procesi i reformimit duhet të ndërtohet mbi përvojën dhe kontributin e pedagogëve, me synimin për ta kthyer Akademinë e Sigurisë në një institucion modern, të aftë për të përgatitur profesionistë të kualifikuar për sfidat e sigurisë dhe rendit publik.
Viti i ri akademik nis kështu me 390 studentë të rinj, të cilët do të ndjekin programet e studimit në Fakultetin “Siguria dhe Hetimi”, duke u përgatitur për t’u bërë pjesë e strukturave të sigurisë dhe zbatimit të ligjit në vend.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.