ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në videon e radhës të rubrikës “Këndi i Fundjavës”, deklaron se korrupsioni nuk është

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në videon e radhës të rubrikës “Këndi i Fundjavës”, deklaron se korrupsioni nuk është vetëm një problem politik, por një kosto që rëndon drejtpërdrejt mbi familjet, pensionistët dhe bizneset shqiptare.
Duke iu referuar raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve, Tabaku thotë se shqetësimet për korrupsionin, konkurrencën e deformuar, informalitetin, pastrimin e parave, prokurimet dhe pasigurinë e pronës nuk janë vetëm akuza të opozitës.
“Mos më besoni mua. Lexoni raportin më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Kriza për të cilën ne flasim, sepse e jetojmë çdo ditë, përshkruhet edhe atje”, shprehet ajo.
Sipas Tabakut, korrupsioni përkthehet në më pak para për pensionet, familjet dhe shërbimet publike, ndërsa kontratat e fryra dhe jotransparente krijojnë detyrime afatgjata për buxhetin.
“Ministrat ndryshojnë. Por kontrata mbetet. Fatura mbetet. Dhe fatura gjithmonë u shkon qytetarëve”, deklaron deputetja e PD-së.
Tabaku sjell edhe të dhënat e Indeksit të Biznesit të Dhomës Amerikane të Tregtisë për vitin 2025. Indeksi ra në 40.34 pikë nga 100, ndërsa monopolet dhe konkurrenca e pandershme u vlerësuan me vetëm 26.11 pikë. Korrupsioni mori 28.67 pikë.
Sipas saj, këto rezultate tregojnë vështirësitë që ndeshin kompanitë në marrëdhëniet me administratën, gjykatat, rregullatorët dhe një treg ku jo të gjithë konkurrojnë në kushte të barabarta.
Në video, Tabaku ndalet edhe te cilësia e investimeve të huaja. Ajo argumenton se Shqipëria ka nevojë për më shumë kapital amerikan dhe europian në teknologji, prodhim dhe sektorë që krijojnë vende pune me paga të larta, jo vetëm për investime të përqendruara në prona dhe ndërtime.
“Kapitali serioz kërkon gjykata që funksionojnë, kontrata që zbatohen, konkurrencë, transparencë dhe rregulla që nuk ndryshojnë sipas emrit të investitorit”, thekson ajo.
Tabaku e përmbyll mesazhin me kërkesën për kalimin nga ekonomia e favoreve tek ekonomia e rregullave, nga monopolet tek konkurrenca dhe nga kontratat e fshehta tek transparenca.
“Kapitali mund të hyjë edhe në një vend të padrejtë. Por besimi ndërtohet vetëm në një vend të lirë”, përfundon ajo.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.