ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Ndërsa duket se ka humbur mes morisë së vlerësimeve dhe rekomandimeve që shoqërojnë dokumentet voluminoze të Komisionit Europian për ecurinë

Ndërsa duket se ka humbur mes morisë së vlerësimeve dhe rekomandimeve që shoqërojnë dokumentet voluminoze të Komisionit Europian për ecurinë njëvjeçare të rajonit dhe vendeve kandidate për anëtarësim, propozimi për të nisur hartimin e Traktatit të Anëtarësimit për Shqipërinë ishte befasia e paketës së zgjerimit.
Referuar edhe kohës kur kjo ka ndodhur për vendet e tjera, propozimi merr një domethënie të veçantë: për Malin e Zi, grupi i posaçëm për hartimin e Traktatit u krijua në prill 2026, kur vendi kishte mbyllur 14 nga 33 kapitujt. Shqipërisë i propozohet nisja e përgatitjeve me vetëm katër kapituj të mbyllur.
“Duke qenë se është një dokument i rëndësishëm dhe aktualisht po kërkon kohë nga vendet anëtare, Komisioni Europian ka kërkuar që të fillojnë të merren masa paraprakisht pra për Shqipërinë”, tha eksperti për çështjet e integrimit europian, Gledis Gjipali.
Sipas kalendarit të Komisionit, Shqipëria synon të mbyllë gjashtë kapituj deri në fund të këtij viti, dhjetë të tjerë në gjysmën e parë të vitit 2027 dhe 15 në gjysmën e dytë. Në fund do të mbetet grupkapitulli i Themeloreve, që përfshin çështjet më të ndjeshme të shtetit të së drejtës dhe funksionimit të institucioneve.
“Ky është i pari që ka data dhe afate konkrete dhe 2027 që përmendet si fundi i negociatave, pra si një objektiv për t’u arritur, është hera e parë që del në një dokument të Bashkimit Europian si propozim, sepse deri më sot ka qenë propozim i palës shqiptare që ne do bëhemi gati deri në fund të 2027-s. Është pozitive gatishmëria e komisionit, pra që thotë ne jemi gati në momentin që ju avanconi mjaftueshëm”, u shpreh Gjipali.
Por pikërisht këtu qëndron edhe prova më e madhe për Shqipërinë: aftësia e administratës për të përballuar një axhendë kaq intensive, për të zbatuar reformat dhe për të prodhuar rezultate të verifikueshme, janë përkundrejt hartimit të traktatit me një domethënie historike.
“Shqipëria raporton në mënyrë javore me Komisionin Europian. Ministritë raportojnë në mënyrë drejtpërdrejtë me komisionerët përkatës, të cilët mbulojnë fusha të ndryshme, çojnë draft legjislacion për t’u rishikuar, kthehen me komente, me rishikime, me sugjerime, ridërgohen përsëri. Pra është një punë e përditshme jashtëzakonisht voluminoze që në fakt kërkon dhe një fuqizim dhe në numra të administratës publike në nivel qendror sepse është një ngarkesë jashtëzakonisht e madhe dhe për ky proces përveç sasisë kërkon dhe cilësi”, theksoi eksperti.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.