ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Brukseli zyrtar e shikon pozitivisht punën që Shqipëria po bën sa i përket negociatave për Bashkimin Europian. Për Vizion Plus,

Integrimi në BE, Fino: Synojmë mbylljen e kapitujve brenda 2027, sfida kryesore te Themelorët dhe siguria ushqimore
Brukseli po e vlerëson pozitivisht punën e Shqipërisë në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Sinjali është inkurajues për Tiranën.
Në një prononcim për Vizion Plus, zv.ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Megi Fino tha se mbyllja e tre grupkapitujve të parë ishte vetëm hapi fillestar. Sipas saj, autoritetet shqiptare presin tani dritën jeshile për etapat e ardhshme.
“Padyshim që mbyllja e tre kapitujve në korrik të këtij viti nuk ishte një rast i vetëm. Sigurisht që ne presim që do të ketë edhe raste të tjera që padyshim me këtë ritëm dhe në kuadër të këtij plani pune që kemi dakordësuar me Komisionin Europian”, u shpreh Fino.
Ajo nënvizoi se ruajtja e ritmit aktual e bën të arritshëm objektivin për mbylljen e të gjithë grupkapitujve brenda vitit 2027. Ky afat është dakordësuar me Komisionin Europian.
“Kemi parë që në më pak se dy vjet, janë hapur të gjithë grupkapitujt, janë mbyllur tre kapituj, tanimë kemi bërë progres edhe me piketat e ndërmjetme. Puna vazhdon, është e përditshme, jo vetëm për ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, është një punë që i përket të gjithë qeverisë shqiptare dhe administratës. Pikë së pari padyshim për ne është mbajtja e këtij momentumi apo këtij ritmi dhe këtij angazhimi që ne e kemi maksimal. Vullneti i qeverisë është maksimal”, thotë Fino.
Por cilët janë sektorët më sfidues për vendin? Zv.ministrja përmendi disa prej tyre, nga grupkapitulli i Themelorëve deri te siguria ushqimore.
“Mund të përmendja grupkapitullin e themeloreve. Padyshim kapitujt 23 dhe 24 i cili vendos dhe ritmin pak a shumë të të gjithë kornizës negociuese sepse është grupkapitulli që hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Padyshim që për sa i përket kapitujve të bujqësisë dhe zhvillimit rural apo sigurisë ushqimore apo mjedisi. Janë tema dhe janë sektorë të rëndësishëm të cilat prekin dhe kërkojnë kapacitete të shumta në nivel qendror por edhe vendor”, thotë ajo.
Në korrik vendi zhvilloi konferencën ndërqeveritare BE-Shqipëri. Atje u mbyllën tre kapitujt e parë: “Shkenca dhe Kërkimi”, “Arsimi dhe Kultura” si dhe “Marrëdhëniet me Jashtë”.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.