ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Materialet nga dosjet hetimore nuk do të lejohen më në media. Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale vendosin rregulla jo

Publikimi i materialeve nga dosjet hetimore në media do të kufizohet ndjeshëm. Ndryshimet e reja synojnë të mbyllin shpërndarjen e pakontrolluar të akteve.
Rregullat e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale nuk prekin vetëm prokurorët, gjyqtarët dhe avokatët. Ndalimi për qarkullimin e dokumenteve shtrihet edhe te redaksitë. Dhe kjo nuk vlen vetëm për rastet që lidhen me sekretin hetimor.
Një kufizim i posaçëm pritet edhe për përgjimet telefonike. Aty hapësira për botim ngushtohet më tej.
Për këtë pikë Ministria e Drejtësisë është e prerë. Sipas saj, “Publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i përmbajtjes së përgjimeve telefonike është gjithmonë i ndaluar, me përjashtim të pjesës së transkriptimit që citohet në arsyetimin e një vendimi ose që përdoret gjatë gjykimit”.
Po nëse gazetari e disponon tashmë dosjen? Edhe atëherë botimi nuk mund të bëhet pa miratim paraprak.
Në këtë rast, sqaron Ministria e Drejtësisë, “Në rastin e të tretëve dhe veçanërisht gazetarëve, mediave, që zotërojnë tashmë të dhëna që bien në regjimin e këtij neni, ata mund t’i kërkojnë gjykatës kompetente të shkallës së parë autorizimin për publikimin e të dhënave”, informon A2CNN.
Ndërkohë debati mes palëve në proces dhe gazetarëve ka përfshirë edhe filmimin e seancave gjyqësore. Kërkesat për kamera në sallë janë shtuar sidomos për dosjet më të ndjeshme.
Tani edhe kjo çështje gjen rregullim në Kodin procedural penal.
Ministria e Drejtësisë thekson se “Kur kërkohet prej të pandehurit, viktimës ose prej mbrojtësve të tyre, gjykata mund të autorizojë transmetimin e drejtpërdrejtë online të seancës, pasi ka dëgjuar palët dhe kur vlerëson se nuk cenohen të drejtat e të tretëve që nuk janë palë në proces, se të drejtat e viktimave janë të mbrojtura në mënyrë të përshtatshme dhe garantohet zhvillimi i qetë i debatit gjyqësor”.
Amendamentet parashikojnë edhe pasojat për shkelësit. Transmetimi i paligjshëm konsiderohet shkak për masa administrative ose disiplinore ndaj subjektit transmetues.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.