ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Kryeministri Edi Rama ka pritur sot një përfaqësi të gjerë të sipërmarrjes japoneze, në një takim ku është diskutuar potenciali

Kryeministri Edi Rama ka pritur sot një përfaqësi të gjerë të sipërmarrjes japoneze, në një takim ku është diskutuar potenciali i bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve strategjike mes dy vendeve.
Në qendër të bisedimeve ka qenë projekti i hekurudhës Durrës–Prishtinë, për të cilin Shqipëria dhe Kosova kanë shprehur gatishmërinë për të mirëpritur përfshirjen e Japonisë.
Gjatë takimit, kryeministri Rama ka nënvizuar rëndësinë e këtij projekti infrastrukturor jo vetëm për lidhjen rajonale, por edhe për dimensionin e sigurisë.
“Së bashku me kryeministrin e Kosovës kemi biseduar më shumë se një herë se sa mirë do të ishte ta përfshinim Japoninë në projektin e hekurudhës së re nga Durrësi në Prishtinë, e cila më pas kalon nëpër Nish dhe lidhet me Europën Qendrore. Kjo hekurudhë ka gjithashtu rëndësi shumë, shumë të madhe për NATO-n për shkak të Portit të ri në Durrës, i cili do të ketë edhe një degë të dedikuar 100% për veprimtaritë ushtarake dhe ato të NATO-s. Ky mund të jetë një investim shumë interesant”, tha Rama.
Projekti i hekurudhës Durrës–Prishtinë konsiderohet strategjik për lidhjen e Shqipërisë dhe Kosovës me rrjetin hekurudhor të Europës Qendrore përmes Nishit, gjë për të cilën Rama tha se së bashku me Kosovën, “jemi gati të punojmë me ju ose me cilindo partner nga Japonia për të parë nëse mund ta realizojmë këtë projekt.”
“Nëse e shqyrtoni projektin, do të na vinte shumë mirë të dëgjonim mendimin tuaj. Së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi gati të punojmë me ju ose me cilindo partner nga Japonia për të parë nëse mund ta realizojmë këtë projekt,” deklaroi më tej kryeministri Rama.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.