ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Erion Braçe ka folur për reformën e re territoriale, i ftuar përmes një lidhjeje me video në Top Story. Gjatë

Erion Braçe zbulon paralajmërimin e Ramës: Do të jesh jashtë grupit nëse voton kundër reformës
Deputeti socialist Erion Braçe ka komentuar reformën e re territoriale. Ai foli përmes një lidhjeje me video në emisionin Top Story.
Gjatë debatit iu përgjigj pyetjeve të të ftuarve në studio. Shprehu rezerva të qarta për mënyrën se si është konceptuar nisma.
Braçe ndau edhe një detaj nga komunikimi me kryeministrin Edi Rama. Sipas tij, kreu i qeverisë i ka thënë se një votë kundër do ta nxjerrë jashtë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Në fjalën e tij, deputeti kritikoi kompetencat që parashikohen për bashkitë. I cilësoi ato si formale dhe pa ndikim real.
“Strehimi social në bashkinë e Divjakës? Po nuk qëndron. Divjaka është e strukturuar me shtëpi private, ku nuk mund të ndërtohen pallatet, sepse është brenda një zone të mbrojtur. Shpërndarja e broshurave për biznesin e vogël? Kjo është kompetencë? Nëse ne i kemi kaluar bashkive prona ,me vendim të këshillit të ministrave, por kjo s’është kompetencë. Janë dhënë kompetenca krejtësisht formale ë s’kanë asnjë ndikim për bashkitë”, tha ai.
Më tej Braçe vlerësoi se mënyra si po zhvillohet procesi nuk prodhon fitues. Sipas tij, u humb mundësia për një reformë të fortë.
“S’ka rëndësi si votoj sot. Nga kjo që po ndodh sot, askush nuk del i fituar. Kishim mundësinë që të bënim një reformë të fortë. Për mua është një betejë e humbur. As fiton kërkush”, u shpreh deputeti.
Ai theksoi nevojën për transferim të vërtetë të pushtetit. Për të, thelbi është heqja dorë nga qendra për të fuqizuar strukturat që takohen çdo ditë me qytetarët.
“Unë e kam thënë fjalën time. Për mua, reflektim i madh është që të transferosh pushtetin. Të heqësh dorë nga pushteti për të forcuar ata që janë ditë për ditë në kontakt me njerëzit. Njerëzit nuk përballen online, por në dyert e bashkive. Shqetësimi nuk është vetëm delegimi i pushtetit, por edhe transferimi nga kryetari i bashkisë te njësitë administrative. Mua nuk më intereson të kemi disa kryeministra në territor”, deklaroi Braçe.
Deputeti shtoi se do të mbështeste një reformë që synon mirëqeverisjen. Por kërkoi qartësi për statusin e qyteteve të reja.
“Po të ishte një reformë për mirëqeverisjen, patjetër që do të isha pro saj. Për mua do kishte vlerë që sot të dija çfarë statusi do të kenë qytetet që krijohen si një instrument mes bashkisë dhe njësive administrative”, tha ai.
Braçe u ndal edhe te mesazhi që i ka ardhur nga kryeministri. Theksoi formulimin e përdorur.
“Rama tha nëse ti voton kundër, je jashtë këtij Grupi Parlamentar. Jo kush voton, por ‘ti’. Unë jam mandatuar të votoj reforma. Më vjen keq që ky debat shkon në këtë gjë”, u shpreh ai.
Në fund kritikoi mënyrën se si është ndërtuar harta territoriale. Sipas tij, ajo nuk duhet të shërbejë për interesa partiake.
“Harta territoriale që nga 2014 është bërë në bazë të mazhorancës. Harta territoriale nuk duhet të bëhet për interesat partiak. Ti thuash tjetrit që do votosh si shumica, nuk është demokraci. Ky është deformim demokratik brenda PS”, përfundoi Braçe.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.