ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Jakup Krasniqi ka refuzuar t’i nënshtrohet një kontrolli mjekësor nga mjekët në Hagë, duke bërë të ditur se nuk dëshiron

Jakup Krasniqi ka refuzuar t’i nënshtrohet një kontrolli mjekësor nga mjekët në Hagë, duke bërë të ditur se nuk dëshiron të marrë më shërbime shëndetësore nga institucionet përgjegjëse atje. Lajmin e ka bërë të ditur vajza e tij, Gresa Krasniqi, e cila ka shprehur shqetësim për gjendjen shëndetësore të të atit.
Përmes një postimi në rrjetet e saj sociale, Gresa ka treguar se gjatë një bisede telefonike me babanë e saj, ai e ka njoftuar për refuzimin e kontrollit mjekësor. Sipas saj, ky vendim vjen si pasojë e pakënaqësisë së tij me trajtimin që pretendon se po merr në institucionin e paraburgimit në Hagë.
Vajza e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës ka theksuar se situata e krijuar e shqetëson edhe më shumë për shkak të moshës së babait dhe rëndësisë që ka kujdesi i vazhdueshëm shëndetësor për të.
Ajo ka shprehur vështirësinë për ta bindur Krasniqin që të pranojë ndihmën mjekësore nga institucionet ndaj të cilave, sipas saj, ai ka humbur besimin.
“Si mund t’i kërkoj të pranojë kujdesin e atyre institucioneve, kur ai ndihet i tradhtuar pikërisht nga drejtësia që duhej ta mbronte?”, ka shkruar Gresa.
Në reagimin e saj, ajo nuk e ka fshehur ndjenjën e pafuqisë përballë asaj që e konsideron trajtim të padrejtë ndaj të atit dhe familjes së saj.
“U ndjeva aq e pafuqishme përballë kësaj fuqie ndërkombëtare kaq të padrejtë. Ne jemi këtu, Babi. Të duam të fortë, të duam të shëndetshëm”, ka deklaruar ajo.
Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në fund të reagimit, Gresa ka kundërshtuar ashpër vendimin ndaj babait të saj, duke e cilësuar atë si një padrejtësi dhe jo si një gabim që mund të ndreqet.
“Dënimi i Babit nuk është një gabim që pret të korrigjohet. Është një padrejtësi”, ka përfunduar ajo.
Jakup Krasniqi dhe tre ish-krerët e tjerë të UÇK-së u dënuan me 81 vite burg nga Gjykata Speciale në Hagë, më 16 shtator.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.