ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, pohon se vendet kandidate që përmbushin kriteret në fusha të caktuara mund të përfitojnë

Integrimi i pjesshëm para anëtarësimit të plotë, Marta Kos: Kjo vjeshtë do të jetë vjeshta e zgjerimit
Vendet kandidate që plotësojnë kriteret në fusha të veçanta mund të përfitojnë integrim të pjesshëm në Bashkimin Europian, pa pritur anëtarësimin e plotë. Kështu deklaroi komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Në një intervistë për Deutsche Welle, ajo u shpreh se ideja e integrimit gradual po fiton gjithnjë më shumë peshë. Sipas saj, rrethanat gjeopolitike kërkojnë afrim më të shpejtë të kandidatëve me bllokun europian. Procesi i anëtarësimit mbetet i bazuar te merita dhe kërkon kohë. Por kjo, theksoi Kos, nuk do të thotë se shtetet kandidate duhet të presin deri në fund për të shfrytëzuar disa nga përfitimet e BE-së.
Komisionerja shpjegoi se kjo qasje nuk e zëvendëson anëtarësimin. Ajo lidhet me të ashtuquajturin rishikim para-anëtarësimi. Rezultatet e tij do të publikohen më 6 tetor dhe pritet të diskutohen pjesërisht në samitin e radhës. Së bashku me vendet anëtare, tha ajo, do të përcaktohen sektorët ku kandidatëve që u duhet më shumë kohë mund t'u ofrohet më shumë Europë që tani.
“Nëse duam të arrijmë qëllimin tonë, dhe qëllimi ynë është një Europë e sigurtë dhe e qëndrueshme, e bazuar në vlerat evropiane, atëherë do të përpiqemi që përmes të ashtuquajturit rishikim para-anëtarësimi, rezultatet e të cilit do të publikohen më 6 tetor dhe do të diskutohen pjesërisht në këtë samit, të identifikojmë së bashku me shtetet anëtare fushat në të cilat, vendeve kandidate që kanë nevojë për më shumë kohë, të mund t’u ofrojmë më shumë Europë edhe para anëtarësimit të plotë. Ky nuk është zëvendësim për anëtarësimin. Është thjesht një mënyrë që, për shkak se procesi i bazuar në meritë kërkon kohë, një vend kandidat që plotëson kriteret për integrim në fusha të caktuara të mund të përfitojë nga një integrim i pjesshëm edhe para se të bëhet anëtar i plotë”, tha Kos.
Si shembull, ajo përmendi CEPA-n. Ky mekanizëm tashmë funksionon dhe përfshin vendet e Ballkanit Perëndimor, Moldavinë dhe Ukrainën. Shumë shpejt, shtoi komisionerja, Ballkanit Perëndimor do t'i ofrohen edhe përfitimet e roaming-ut.
Bëhet fjalë për fusha që zakonisht janë të rezervuara vetëm për anëtarët. Por, sipas saj, ato tregojnë se çfarë mund të arrihet konkretisht. Ka edhe shumë mundësi të tjera të ngjashme, theksoi Kos.
Komisionerja u shpreh optimiste për të ardhmen e zgjerimit. Viti aktual, sipas saj, ka shënuar ritëm të pazakontë.
“Po, jam optimiste për zgjerimin. Ky vit është vërtet viti i zgjerimit dhe veçanërisht kjo vjeshtë, që sapo ka nisur, do të jetë vjeshta e zgjerimit. Pse? Sepse gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti kemi hapur ose mbyllur më shumë kapituj negociues se në çdo vit tjetër të 25 viteve të fundit. Për herë të parë që nga anëtarësimi i Kroacisë në vitin 2013, kemi Malin e Zi me një perspektivë reale për t’u bërë anëtar i BE-së. Po ashtu Shqipëria po përparon shumë mirë, ndërsa për Moldavinë dhe Ukrainën shpresojmë të hapim të gjitha grupkapitujt brenda këtij viti. Këto janë vendet që po udhëheqin procesin dhe mendoj se nuk kemi parë një dinamikë të tillë që nga koha kur Kroacia iu bashkua bllokut europian”, tha Kos.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.