ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka shprehur qëndrimin e prerë të opozitës kundër propozimit të shumicës

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka shprehur qëndrimin e prerë të opozitës kundër propozimit të shumicës socialiste për Reformën e Re Territoriale.
Në një reagim të bërë publik në rrjetet sociale pas mbledhjes së grupit parlamentar, Bardhi nëvizoi se në seancën e ardhshme parlamentare do të përballen dy koncepte krejtësisht të ndryshme për qeverisjen vendore.
Përplasja e dy modeleve, 46 apo 100 bashki?
Sipas përfaqësuesit të opozitës, harta e propozuar nga Partia Socialiste, e cila parashikon tkurrjen e vendit në 46 bashki, udhëhiqet vetëm nga prapavija politike. Në të kundërt, opozita propozon një riorganizim me 100 njësi vendore.
“Nesër, përballë janë dy modele: harta me 46 bashki e PS-së i shërben interesit elektoral të Edi Ramës; harta me 100 bashki e PD-së vë në qendër interesin e qytetarëve,” deklaroi Bardhi.
Centralizimi i pushtetit dhe heqja e kompetencave
Kryetari i grupit të PD-së akuzoi kryeministrin se përmes kësaj reforme po formalizon një model të përqëndruar drejtimi, duke i zhveshur bashkitë nga funksionet e tyre bazë në favor të pushtetit qendror.
“Ai ua ka marrë ndërkohë bashkive kompetenca me ligje dhe vendime të qeverisë, nga furnizimi me ujë te menaxhimi i mbetjeve. Tani kërkon edhe bashki më të mëdha, pa u kthyer kompetencat dhe fondet që u duhen për t’u shërbyer njerëzve,” u shpreh ai.
Sipas tij, propozimi i opozitës synon decentralizimin e plotë, duke afruar shërbimet publike pranë komuniteteve dhe duke rritur buxhetet e investimeve në nivel lokal.
Bilanci i reformës së vitit 2014
Në mbyllje të deklaratës së tij, Bardhi u ndal edhe te pasojat e reformës administrative të realizuar një dekadë më parë, duke e cilësuar atë një dështim që po kërkohet të thellohet edhe më tej.
“Reforma e vitit 2014 la pas më pak investime në shumë zona, shkolla e qendra shëndetësore të mbyllura dhe shërbime më larg banorëve. PS kërkon ta thellojë këtë dështim duke shuar edhe 15 bashki, dhe t’ua nxijë jetën akoma më shumë njerëzve,” përfundoi reagimin e tij kryetari i grupit parlamentar të PD-së.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.