ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Nga Ylli Manjani I jashtëzakonshëm është paradoksi në drejtësinë kushtetuese shqiptare. Gjykata Kushtetuese ka refuzuar të shqyrtojë kërkesa të qytetarëve

**Gjykata Kushtetuese si strehë azilantësh ndërkombëtarë!**
Ylli Manjani
Paradoksi i jashtëzakonshëm në drejtësinë shqiptare: Gjykata Kushtetuese ka refuzuar të shqyrtojë kërkesa të qytetarëve shqiptarë, deputetëve, zyrtarëve dhe institucioneve kushtetuese, me argumentin se kryesorja është asnjë legitime. Pra, shqiptarëve u kërkohet të provojnë deri në milimetër të drejtën për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Por kur vjen puna te Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), legjitimiteti duket se buron nga një burim tjetër: nga pasaporta ndërkombëtare. ONM u instalua në Shqipëri si pjesë e procesit të jashtëzakonshëm, të përkohshëm dhe të diskutueshëm kushtetues, i quajtur vetting. Një mekanizëm ku disa juristë të huaj iu dhanë kompetenca të pazakonta mbi karrierën dhe fatin e profeksionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë.
Të mirëpaguar, të paprekshëm nga përgjegjësia publike shqiptare dhe shpesh me sjelljen e kubave që kishin ardhur të qytetëronin vendasit. Mirëpo, vettingu përfundoi. Organet e tij përfunduan mandatin. Dhe bashkë me përfundimin e këtij mekanizmi të jashtëzakonshëm, duhej të përfundonte edhe roli i jashtëzakonshëm i ONM-së. Sepse mandati i përkohshëm nuk është pronë e përjetshme. Aq më pak pronë e të huajve.
Por ja Gjykata e nënë Kushtetuese, sipas mënyrës se si ka rregulluar pjesëmarrjen e ONM-së në procedurat e saj, ka gjetur një zgjidhje origjinale: t’i sigurojë këtij mekanizmi një jetë të dytë procedurale! Madje, me rregullore të brendshme!
Këtu fillon absurdi juridik. Një rregullore gjykate nuk mund të krijojë subjekte kushtetuese. Nuk mund të zgjasë mandate të përfunduara. Nuk mund t’i japë një organizmi ndërkombëtar kompetenca që Kushtetuta dhe ligji nuk i njohin.
Legjitimiteti nuk është dhuratë mikpritjeje. Është kusht juridik! Dhe nëse ONM-së i njihet cilësia e palës në gjykime kushtetuese, atëherë Gjykata duhet të shpjegojë se nga cili nen i Kushtetutës apo i ligjit buron kjo e drejtë. Nenin 179/b dhe nenin B i aneksi të kushtetutës i lexojmë të gjithë. Aty thuhet se mandati i ONM-kës ka mbaruar tashmë. Ka mbaruar që me 17 qershor 2026, kur mbaroi mandati i Mohikanëve të fundit në KPA.
Pra, gjykata duhet të na gjejë nenin e ligjit, jo të na tregojë rregulloren e saj. Sepse rregullorja organizon funksionimin e gjykatës. Nuk rishkruan Kushtetutën.
Akoma më groteske bëhet situata kur në këto procese përfshihen gjyqtarë dhe prokurorë që kanë fituar çështjet e tyre në Strasburg. Pra, në vend që shteti shqiptar të përqendrohet te zbatimi i vendimeve të Gjykatës Europiane të Të Drejtave të Njeriut, ne rrezikojmë të krijojmë përshtypjen se duhet t’i dëgjojmë edhe mendimin e pensionistëve ndërkombëtarë të vettingut! Sikur Strasburgu të mos mjaftonte pa marrë edhe bekimin e ONM-së!
E kuptoni apo jo! Mos duhet t’i propozojmë një konventë të re të Këshillit të Europës, ku ONM ta vëmë mbi gjykatën e Strasburgut?! Jalla, ore jalla!
Në fakt, e kuptoj halin e këtyre ndërkombëtarëve. Dikush mund të ketë një kredi për të shlyer. Dikush mund të ketë gjetur dashurinë e jetës në Shqipëri. Dikush tjetër mund të ketë shpenzime që pensioni perëndimor nuk ia përballon dot.
Janë halle njerëzore këto. Madje, krejt të kuptueshme. Por Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk është as fond pensioni, as agjensi punësimi dhe as strehë azili për juristë ndërkombëtarë!
Nuk mund të mbajmë gjallë një mekanizëm të jashtëzakonshëm vetëm sepse disa njerëz u pëlqeu pushteti që ushtruan në Shqipëri. Mbi të gjitha, nuk mund të përdorim Gjykatën Kushtetuese për t’i dhënë jetë juridike një mandatin që ka përfunduar.
Këtu nuk diskutohet nëse ONM ka bërë mirë apo keq gjatë vettingut. Kjo është një çështje tjetër. Këtu diskutohet diçka shumë më elementare: a ka të drejtë Gjykata Kushtetuese të njohë një legittimitet që nuk buron nga Kushtetuta e ligji?
Nëse përgjigjja është jo, atëherë asnjë rregullore nuk ka të bëjë po. Përndryshe, kemi mbërritur në një situatë ku qytetari shqiptar duhet të provojë të drejtën për të hyrë në Gjykatën e tij Kushtetuese, ndërsa ndërkombëtari duhet vetëm të provojë se ka qenë dikur ndërkombëtar!
Çfarë privilegji absurd! Një gjykatë që i mbyll derën qytetarit për mungesë legittimitet, por ia hap atë një mekanizëm ndërkombëtar me mandat të përfunduar, nuk po mbron më hierarkinë kushtetuese. Po përmbys logjikën e saj.
Dhe kjo është shumë më e rëndë sesa një vendimmarrje e gabuar. Sepse Gjykata Kushtetuese ekziston për të kufizuar pushtetin me Kushtetutë, jo për të shpërndarë pushtet përtej Kushtetutës. Një gjykatë që e trajton rregulloren e vet si burim të kompetencave kushtetuese, ka harruar arsyen për të cilën ekziston.
Republika jonë ka nevojë për një Gjykatë Kushtetuese, jo për një zyrë legalizimesh të privilegjeve ndërkombëtare. Dhe nëse kemi arritur deri këtu, fjala turp është shumë pak për ta përshkruar.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.