ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Një revoltë shpërtheu mbrëmjen e djeshme, 30 shtator, në burgun Don Bosco në Pisa të Italisë, pasi disa të burgosur,

Tension i fortë përfshiu burgun Don Bosco në Piza mbrëmjen e 30 shtatorit. Shkak u bë pretendimi i disa të burgosurve, mes tyre edhe shqiptarë, se kishin gjetur pajisje përgjimi brenda qelive.
Sipas raportimeve, gjithçka nisi rreth orës 19:00. Pak më parë, të burgosurit thanë se kishin zbuluar aparatura të vogla përgjimi. Dyshohet se ato ishin vendosur për nevoja hetimore. Zbulimi nxiti pakënaqësi dhe më pas revoltën.
Njëri prej të burgosurve hapi një transmetim live në TikTok. Videoja u ndoq nga rreth 15 mijë persona derisa u ndërpre. Pas saj situata u tensionua më tej.
Rreth 40 të burgosur morën kontrollin mbi një sektor të burgut. Ata u barrikaduan brenda dhe kërkuan takim urgjent me komandantin e policisë së burgjeve dhe drejtoreshën e institucionit.
Gjatë transmetimit live, disa prej tyre u shfaqën me fytyrë të zbuluar. Nuk kishin shenja të dukshme dhune. Folën shqip dhe italisht. Pretenduan se ishin goditur me shkopinj gome nga punonjësit. Kundërshtuan vendosjen e pajisjeve në qeli dhe kërkuan të bisedonin lirisht, pa frikë se përgjohen.
Në video dëgjohet ky shkëmbim mes shqipes dhe italishtes:
-Obobo!
-Shkoni, copë m*ti!
-Mos, erdhën ore!
-Shkoni!
-Ju q**sha motrën! Shkoni, more plehra!
-Tani i rrethuan.
-I rrethuan ë?
-Po, po!
-Çoni frigoriferët! Bllokoni vendin!
-O vëlla thoni emrin e burgut!
-Mos, i vajtën!
Ndërhyrja ishte e gjerë. Dhjetëra forca policie, karabinierësh dhe policie burgjesh mbërritën te Don Bosco për të rikthyer rendin. pati përleshje mes efektivëve dhe disa të burgosurve. Në vendngjarje shkuan edhe ambulanca për të ndihmuar të lënduarit e mundshëm.
Raportimet flasin edhe për përdorim të mundshëm të gazit lotsjellës. Pamjet e publikuara tregojnë efektivë me mjete antirevoltë, mburoja dhe shkopinj në shkallët mes kateve. Në krahun tjetër të portës metalike qëndronin të burgosurit.
Pas negociatave, rreth 50 persona u larguan nga zona e bllokuar. Por rreth 30 të tjerë nuk u shpërndanë. Ata prisnin një ndërmjetës që vinte nga Firence. Jashtë burgut, ndërkohë, u mblodhën dhjetëra familjarë dhe miq. Të shqetësuar prisnin lajme.
Përveç akuzës për përgjim, të burgosurit ngritën edhe probleme të tjera. Ata denoncuan mbipopullimin e qelive dhe kushtet higjieno-sanitare. Pas disa orësh negociata, situata u qetësua. Qetësia u rikthye vonë gjatë natës, pas bisedimeve dhe ndërhyrjes së policisë.
Autoritetet kanë nisur procedurat për zhvendosjen e disa prej të dyshuarve si organizatorë. Ata pritet të transferohen në burgje të tjera të Toskanës.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.