ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Artistët që shfaqen në video intime në internet kanë nisur ankesat pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive për fshirjen e tyre

TikTok heq 45 video intime pas fluksit të ankesave në AMA
Artistë të prekur nga videot intime që qarkullojnë online kanë kërkuar ndërhyrjen e Autoritetit të Mediave Audiovizive për heqjen e tyre nga platformat digjitale. Reagimi erdhi menjëherë pas një apeli publik në Top Channel, sipas kryetares së AMA-s Armela Krasniqi.
“Pas apelit publik që u bë nga emisioni Tech Talk, ne në fakt patëm fluks ankesash, të cilat vinin nga qytetarë, nga artistë të prekur, edhe nga shoqëri civile, nga disa organizata”, u shpreh kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi.
Apeli funksionoi. Vetëm për këtë rast, numri i raportimeve është sa gati gjysma e ankesave të regjistruara gjatë gjithë vitit 2026. Nga dhjetëra kërkesa të trajtuara, 45 linqe janë bllokuar tashmë në TikTok falë bashkëpunimit me platformën.
“Nëse nga shkurti deri në fillim të tetorit kemi administruar në institucion 326 ankesa, nga të cilat 140 janë gjetur në shkelje dhe platforma ka hequr 112, për rastin në fjalë vetëm gjatë kësaj jave janë përpunuar 54 ankesa, të gjitha në shkelje të legjislacionit dhe kodit të transmetimit, edhe për këtë arsye i jemi drejtuar TikTok-ut, që ka hequr deri në momentin që flasim 45 të tilla dhe 9 të tjera janë ende në shqyrtim”, tha Krasniqi.
Edhe pse legjislacioni ka ende zbrazëti për mbikëqyrjen e platformave digjitale, AMA ka marrë një nismë vullnetare. Bashkë me TikTok-un po punohet për heqjen e përmbajtjeve të papërshtatshme që cënojnë privatësinë. Qëllimi është frenimi i bullizmit dhe pasojave të tjera sociale që sjellin këto materiale. Institucioni fton këdo që haset me raste të tilla të raportojë në adresën ama.gov.al.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.