ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Dalin detaje të reja nga aksidenti tragjik i mbrëmjes së djeshme në aksin nacional Korçë-Maliq, ku humbi jetën 18-vjeçari Florian

Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e mbrëmjes së djeshme në rrugën nacionale Korçë-Maliq, ku ndërroi jetë 18-vjeçari Florian Matraku nga fshati Bulgarec i Korçës.
Në familjen Matraku ai ishte fëmija i vetëm.
Paraditen dhe pasditen e asaj dite, i riu kishte punuar në arën e familjes për të korrur misrin. Në mbrëmje autokombajna po përfundonte punën dhe duhej të dilte nga parcela drejt rrugës nacionale.
Për t'i hapur rrugë mjetit bujqësor pa rrezik, 18-vjeçari doli në karrexhatë dhe kërkoi të ndalonte për pak momente lëvizjen e makinave. Tragjedia ndodhi pikërisht në ato çaste.
Ai u godit nga një automjet me drejtues Leonardo Skënderasin. Policisë e arrestoi shoferin pas ngjarjes.
I plagosuri u dërgua me urgjencë në Spitalin e Korçës. Mjekët tentuan ta mbanin në jetë, por ai ndërroi jetë rreth një orë pas përplasjes.
Aksidenti i mbrëmshëm është i dyti me pasojë vdekjen në vetëm tre ditë, në të njëjtin aks dhe pothuajse në të njëjtën zonë. Tri ditë më parë një 60-vjeçar u përplas për vdekje nga një automjet teksa po udhëtonte drejt Korçës.
Sipas të dhënave paraprake, i moshuari po shkonte për të shitur qumësht.
Brenda tri ditësh, i njëjti segment rrugor është kthyer në vendngjarjen e dy fatkeqësive. Dy jetë u humbën, ajo e një 60-vjeçari dhe ajo e një 18-vjeçari.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.