ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, kritikoi të hënën propozimet

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, kritikoi të hënën propozimet e qeverisë për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale.
Gjatë mbledhjes së komisionit, ajo paralajmëroi se ndërhyrjet e propozuara cenojnë parimet e reformës në drejtësi, hapësirën e SPAK-ut për të hetuar korrupsionin dhe lirinë e gazetarëve për të investiguar.
Sipas Tabakut, propozimet prekin rreth 20–25% të Kodit dhe bien ndesh me Kushtetutën dhe me një sërë ligjesh të miratuara në kuadër të reformës në drejtësi. Ajo theksoi se çdo ndryshim duhet të udhëhiqet nga kërkesat e procesit të integrimit europian, veçanërisht nga angazhimet për kapitujt 23 dhe 24.
“Ju praktikisht po i prisni krahët SPAK-ut dhe po u mbyllni derën hetimeve të ardhshme”, deklaroi Tabaku, duke e cilësuar nismën si një përpjekje për t’i siguruar qeverisë mbrojtje të padrejtë nga hetimi.
Deputetja e PD-së ngriti gjithashtu çështjen e konfliktit të interesit të qeverisë në hartimin e këtyre ndryshimeve, duke iu referuar akuzave për korrupsion dhe pastrim parash ndaj anëtarëve dhe ish-anëtarëve të saj.
“A ka të drejtën morale qeveria, kur kjo qeveri është qartësisht në konflikt interesi?”, pyeti ajo.
Tabaku vuri në dukje se mbrojtja e të drejtave të personave nën hetim, të pandehurve dhe të burgosurve është detyrë e komisionit. Ajo kujtoi se komisioni ka nisur vizita vëzhguese në burgjet e vendit dhe se paraburgimi është pjesë e punës së tij. Megjithatë, kërkoi që të njëjtat standarde të zbatohen për të gjithë, duke përmendur edhe qytetarët e arrestuar për mospagimin e energjisë elektrike, ndërhyrje në banesa apo gjatë pandemisë.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej saj lidhej me pasojat e ndryshimeve për gazetarinë investigative. Sipas Tabakut, kufizimi i mundësive për të hetuar dhe raportuar mbi korrupsionin dhe krimin e organizuar cenon lirinë e fjalës dhe interesin publik.
“Lufta kundër korrupsionit është prioritet i prioriteteve në çështjen e integrimit europian”, theksoi ajo.
Tabaku kërkoi gjithashtu shqyrtim nga Komisioni Europian. Duke iu referuar informacionit që kishte marrë për ekspertët e angazhuar në hartimin e propozimeve, ajo tha se ata janë punësuar nga qeveria dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet zyrtare të vendeve të cituara.
Në përfundim, Tabaku i cilësoi ndryshimet e propozuara si “një hap pas”, duke argumentuar se ato nuk i shërbejnë drejtësisë apo mbrojtjes së të drejtave të njeriut, por interesave të të korruptuarve.
Fjala e deputetes Jorida Tabaku:
“I kam parë me shumë shqetësim propozimet e reja për Kodin e Procedurës Penale. Në to ka një element të rëndësishëm që lidhet me lirinë e fjalës dhe që do ta diskutojmë kur drafti të vijë në këtë komision.
I kam ndjekur diskutimet për Kodin dhe propozimet që ndryshojnë 20–25% të tij. Këto propozime bien ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë, por edhe me një sërë ligjesh të tjera që i kemi miratuar në kuadër të reformës në drejtësi.
Mendoj se Kodi i Procedurës Penale duhet të kishte parasysh një parim: procesin e integrimit dhe përafrimin me kërkesat që lidhen me të. Kapitujt 23 dhe 24 lidhen me reformën në drejtësi, të cilën ju, me këto propozime, po e zhbëni.
Unë kam një pyetje: a ka të drejtën morale qeveria të ndërmarrë këto ndryshime, kur është qartësisht në konflikt interesi? Anëtarë dhe ish-anëtarë të kësaj qeverie akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash. Kemi një historik ku shumica socialiste ka propozuar, me firmën e kryeministrit, ligjin për rastin e pezullimit.
Së dyti, keni folur për një sërë elementesh që lidhen me të drejtat e njeriut dhe që janë të rëndësishme. Ne, si komision, kemi nisur një tur vëzhgimesh në burgjet e vendit dhe pjesë e punës sonë është edhe paraburgimi.
Padyshim, detyra jonë është të ruajmë të drejtat e kujtdo, qoftë i hetuar, i pandehur apo i burgosur, sepse këto janë të drejta të njeriut. Kjo vlen edhe për të arrestuarit për korrupsion dhe pastrim parash. Po të drejtat e atyre që u arrestuan për mospagimin e faturave të energjisë elektrike, për një shtesë çatie apo gjatë COVID-it?
Ka një problem në këtë mes.
Edhe diskutimi ynë për këtë konventë duket i pakuptimtë kur profesioni i avokatit nuk ka më vlerë, pasi, në fakt, këtu qeveria i bën avokatin korrupsionit dhe, me Kodin e Procedurës Penale, e legjitimon këtë.
Këto ndryshime bien ndesh me parimet e reformës në drejtësi. Ju praktikisht po i prisni krahët SPAK-ut dhe po u mbyllni derën hetimeve të ardhshme. Nuk ka vlerë asnjë konventë e Këshillit të Europës nëse nesër SPAK-u nuk ka mundësi të hetojë korrupsionin, nëse nesër fjala e lirë është e cenuar, nëse nesër gazetari nuk ka mundësi të hetojë dhe të përgatisë një lajm investigativ për korrupsionin dhe krimin e organizuar.
E kuptoj këtë tendencë të qeverisë, sepse është vazhdim i sjelljes së saj: “Më pengon ligji i zonave të mbrojtura? E ndryshojmë ligjin që të mos më pengojë. Më pengon Kodi i Procedurës Penale? E ndërrojmë. Bëhet problem SPAK-u në luftën kundër korrupsionit? Hajde t’ia heqim fuqitë që ka. Hajde ta penalizojmë SPAK-un. T’ua kufizojmë gazetarëve hapësirën për të investiguar dhe për të dhënë lajmin”.
Ne duhet të jemi të kujdesshëm. Lufta kundër korrupsionit është prioritet i prioriteteve në çështjen e integrimit europian. Prandaj, ju po cenoni hapësirën e SPAK-ut për të hetuar korrupsionin dhe po i jepni vetes imunitet të padrejtë ndaj hetimit.
Ndërkohë, ju vazhdoni të sillni këto propozime pa vlerë, kur në fakt kemi përballë ligje që kufizojnë fuqitë që Kushtetuta dhe shqiptarët i kanë dhënë SPAK-ut.
Ju po propozoni ligje që kufizojnë edhe punën e avokatit, edhe punën e gjyqtarit, edhe punën e SPAK-ut, edhe punën e gazetarit. Të vetmit të kënaqur nga propozimet për Kodin e Procedurës Penale janë të korruptuarit dhe qeveria.
Lidhur me informacionet që kam marrë për ekspertët, ajo që mësojmë është se janë disa ekspertë të angazhuar dhe të punësuar nga qeveria për t’i shkruar këto propozime. Ata nuk përfaqësojnë shtetet apo vendet që janë cituar. Janë disa profesorë të nderuar, të cilët nuk përfaqësojnë as qëndrimet, as interesat e këtyre vendeve dhe që kanë pasqyruar në ligje dhe në draftkod dëshirat e qeverisë.
Shpresoj që Komisioni Europian të ketë mundësi ta kontrollojë këtë sistem, pasi procesi i integrimit duhet ta reformojë Shqipërinë për mirë dhe jo ta çojë në drejtimin e gabuar.
Propozimet e reja janë një hap pas. Nuk ndihmojnë askënd, as drejtësinë, as të drejtat e njeriut, por janë një mbulesë për të ndihmuar të korruptuarit”.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.