ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas rrëzimit të kërkesës së opozitës në Konferencën e Kryetarëve

Konferenca e Kryetarëve rrëzoi kërkesën e opozitës për zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me çështjen e SHISH-it. Reagimi i parë erdhi nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Sipas tij, Kuvendi po i shmanget përgjegjësisë që ka për sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Ai e konsideroi këtë qëndrim të paprecedentë për një shtet demokratik.
Bardhi dënoi vendimin e mazhorancës për të bllokuar diskutimin. E cilësoi të paimagjinueshme që legjislativi të tërhiqet nga një detyrë thelbësore.
Sipas Bardhit, dënimi penal i autorëve u takon organeve të drejtësisë, ndërsa Kuvendi ka rol kontrolli mbi pushtetin ekzekutiv. Ky kontroll përfshin edhe SHISH-in dhe kërkon debat për akte që ai i sheh si të paprecedenta në një vend demokratik.
Ai theksoi se hetimi i SPAK nuk duhet penguar, por duhet mbështetur deri në zbardhjen e plotë. Përgjegjësia kryesore, sipas tij, nuk bie mbi Vlora Hysenin.
“Dënoj bllokimin që mazhoranca i bëri kërkesës për debat. Është e paimagjinueshme që Kuvendi t’i shmanget përgjegjësisë në raport me sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Kjo nuk është çështje e drejtësisë. Çështje e drejtësisë është të çojë pas hekurave dhe para përgjegjësisë ligjore cilindo që ka kryer këtë vepër penale. Kuvendi nuk e ka këtë kompetencë, por ka kompetencën e kontrollit mbi pushtetin ekzekutiv dhe institucionet, përfshirë edhe SHISH-in. Në kuadër të këtij funksioni, ka përgjegjësinë të diskutojë për një nga aktet më të paprecedenta në një vend demokratik. S’kemi punë me hetimin e SPAK, veçse t’i lëmë të bëjnë punën e tyre, t’i nxisim ta çojnë punën deri në fund dhe t’i shkojnë këtij problemi në kokë. Koka nuk është Vlora Hyseni. Koka e kësaj afere, e kriminalizimit të institucioneve shtetërore dhe e përdorimit të institucioneve shtetërore si mekanizëm mbrojtës ndaj krimit të organizuar është padyshim Rama”, tha Bardhi.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.