ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Administrata Doganore ka mbledhur 21,1 miliardë lekë të ardhura gjatë muajit tetor 2026, duke shënuar një rritje prej 440 milionë

Administrata Doganore ka mbledhur 21,1 miliardë lekë të ardhura gjatë muajit tetor 2026, duke shënuar një rritje prej 440 milionë lekësh krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave të publikuara nga vetë institucioni, ecuria pozitive është ruajtur pavarësisht goditjes financiare prej rreth 600 milionë lekësh të shkaktuar nga kursi i këmbimit, si pasojë e zhvlerësimit të dy monedhave kryesore kundrejt lekut.
“Realizimi është ndikuar negativisht në masën rreth 600 milionë lekë nga kursi i këmbimit, kryesisht nga zhvlerësimi i Dollarit me rreth 2% dhe Euros me 5%. Efekti i kombinuar i rënies së monedhave në total është rreth 600 milionë lekë,” njofton Administrata Doganore.
Përveç zhvlerësimit të monedhave të huaja, një tjetër faktor me ndikim të drejtpërdrejtë në arkëtimet doganore ka qenë reduktimi i akcizës së karburanteve me 80% (rreth 10 lekë për litër), i zbatuar disa herë në përputhje me vendimet e Bordit të Transparencës.
“Sipas vendimeve të Bordit të Transparencës gjatë kësaj periudhe është realizuar disa herë reduktimi i akcizës së karburanteve në 80% duke sjellë një humbje në të ardhurat doganore rreth 400 milionë lekë që përkthehen në kursime për qytetarët dhe bizneset në çmimin e reduktuar të karburanteve nga diferencimi akcizës,” sqaron më tej njoftimi zyrtar.
Gjithashtu, gjatë muajit tetor 2026 është regjistruar edhe një fenomen i ri në lëvizjen e mallrave, ku si pasojë e protestave të zhvilluara përgjatë kësaj periudhe është vënë re një rënie në sasinë e importeve të produkteve bazë.
“Një fenomen i ri është shfaqur gjatë Tetorit 2026, ku si pasojë e protestave është vënë re një tkurrje në sasinë e importeve për 29 produktet kryesore, që japin rreth 80% të të ardhurave doganore,” përmbyll njoftimin e saj Administrata Doganore.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.