ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Katër nga personat e arrestuar nën dyshimin se po përgatitnin një akt terrorist në Greqi janë shqiptarë nga Maqedonia e

Katër nga personat e arrestuar nën dyshimin se po përgatitnin një akt terrorist në Greqi janë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, ndërsa në këtë rast dyshohet se janë të përfshirë edhe dy shtetas iranianë.
Top Channel ka mësuar se autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se kreu i organizatës ishte Edriz Mavaneh, ndërsa pjesa tjetër e grupit përbëhej nga persona me bindje radikale islamike nga zona e Kumanovës dhe Shkupit.
Policia greke bën të ditur se ka arrestuar edhe Shpëtim Musliun, i datëlindjes 21.12.1996, i lindur dhe banues në Kumanovë.
Musliu, së bashku me anëtarë të tjerë të celulës, dyshohet se do të kryenin në Greqi atentatin ndaj një biznesmeni, i cili njëkohësisht mbante një post të lartë drejtues në një kompani izraelite të prodhimit të armëve.
Shënjestra e sulmit ishte, Avraam-Minos E. Moissis, një biznesmen dhe njëkohësisht dhe drejtues i lartë i një kompanie të prodhimit të armëve në Izrael.
Ai njihet kryesisht për rolet e tij drejtuese dhe pjesëmarrjen në bordet e drejtorëve të disa kompanive të mëdha në Greqi, veçanërisht në sektorin farmaceutik dhe atë tregtar/industrial.
I gjithë operacioni dyshohet se financohej nga shtetasi iranian Mabanex, i cili, sipas hetimeve, kishte marrë urdhër nga shërbimet iraniane të inteligjencës për eliminimin e biznesmenit izraelit.
Për këtë qëllim, dyshohet se ishin rekrutuar persona me bindje radikale islamike nga Kumanova, të cilët kishin pranuar të kryenin atentatin. Ata kishin tentuar të kalonin kufirin drejt Greqisë, por nuk ishin lejuar të hynin në vend, pasi rezultonin në listat e personave të dyshuar për pikëpamje radikale.
Edhe i arrestuari Shpëtim Musliu kishte tentuar më herët të hynte në Greqi përmes Turqisë, por ishte kthyer mbrapsht në pikën kufitare të Evrosit.
Në një tentativë të dytë, ai u ndalua pasi shërbimet greke ishin njoftuar nga homologët e tyre në Maqedoninë e Veriut për planin e celulës. Autoritetet greke kanë bërë të ditur se e kishin mbajtur grupin nën përgjim për afro një vit.
Pas dorëzimit të Shpëtim Musliut pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, shërbimet greke kanë nisur një valë të re hetimesh për të zbuluar nëse anëtarët e kësaj celule radikale kanë bashkëpunëtorë apo udhëzues shpirtërorë në qarqet e komunitetit mysliman që jeton në Greqi.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.