ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja prezantoi dje në Kuvend projektligjin e ri “Për donacionet dhe sponsorizimet”, i cili synon të

**Gonxhja në Kuvend: zbritje deri në 30% e tatimit mbi fitimin për bizneset që sponsorizojnë kulturën**
Projektligji i ri “Për donacionet dhe sponsorizimet” u prezantua dje në Kuvend nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja. Qëllimi i nismës është ngritja e mekanizmave të rinj që sjellin kapital privat në mbështetje të kulturës, artit, sportit dhe fushave të tjera me interes publik.
Sipas ministrit, iniciativa përgjigjet zhvillimeve ekonomike e sociale që ka përjetuar vendi, si dhe mungesës së instrumenteve moderne të financimit.
“Shqipëria nuk është më ajo e tri dekadave më parë dhe as e një dekade më parë”, u shpreh Gonxhja. “Vendi ynë ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme në sektorët e turizmit, kulturës dhe sportit, duke e shndërruar këtë hapësirë në një nga motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik.”
Te mekanizmat kryesorë, ministri u ndal gjatë në një instrument të ri financimi për kulturën, artin dhe sportin, që mbështetet në përfshirjen më të gjerë të sektorit privat.
Të dhënat e vitit 2024 e ilustrojnë qartë problemin. Financimi total në sport arriti rreth 448 milionë lekë, por vetëm 50 milionë lekë, ose 11,2%, erdhën nga sponsorizimet private.
“Projektligji parashikon një mekanizëm lehtësues për subjektet që sponsorizojnë aktivitete në kulturë, art dhe sport, duke u mundësuar njohjen si zbritje të një vlere deri në 30% të tatimit mbi fitimin të paguar në vitin paraardhës”, tha ai. “Kjo lehtësi do të ketë një kufi maksimal prej 30 milionë lekësh në vit për çdo sponsor dhe një tavan kombëtar prej 2 miliardë lekësh në vit.”
Një risi tjetër është mundësia për të mbështetur drejtpërdrejt sportistët dhe artistët që përfaqësojnë Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare.
“Përtej efektit të drejtpërdrejtë te përfituesit, ky mekanizëm sjell edhe një përfitim të madh fiskal për shtetin, ai shërben si incentivë e drejtpërdrejtë për formalizimin e ekonomisë”, theksoi Gonxhja.
Shtylla e dytë e projektligjit, sipas tij, ka të bëjë me zgjerimin e fushave që mund të përfitojnë nga donacionet dhe sponsorizimet.
“Për Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, thelbi i këtij projektligji lidhet me bindjen se kultura dhe sporti nuk duhen parë më si thjesht një faturë shpenzimesh buxhetore”, tha ministri, “por si investime strategjike me një vlerë të trefishtë: ekonomike, shëndetësore dhe shoqërore.”
Kur u ndal te ndikimi i eventeve kulturore e sportive në turizëm dhe në ekonominë lokale, Gonxhja vuri në dukje se “eventet ndërkombëtare aktivizojnë zinxhirin e shërbimeve, përfshirë strukturat akomoduese, gastronominë, transportin, tregtinë dhe kompanitë vendase”.
Dy shembuj u përmendën konkretisht. Tri etapave të Giro d’Italia që u zhvilluan në Shqipëri në vitin 2025, ku 42% e spektatorëve qëndruan të paktën një natë në vend. Dhe koncerti i YE në Tiranë, i cili sipas ministrit mblodhi rreth 60 mijë spektatorë, prej të cilëve 27 mijë vizitorë të huaj nga 88 shtete.
“Përmes këtij projektligji, ne ulim presionin mbi buxhetin e shtetit, e ndajmë koston e organizimit me sektorin privat”, deklaroi Gonxhja. “Krijojmë gjithashtu mundësinë që eventet tona të rrisin cilësinë dhe konkurrueshmërinë në tregun ndërkombëtar.”
Shtylla e tretë parashikon standarde të reja për transparencën, gjurmueshmërinë dhe kontrollin financiar. Të gjitha donacionet dhe sponsorizimet do të kalojnë vetëm përmes transfertave bankare, ndërsa transaksionet me para në dorë përjashtohen.
“Do të krijohet Regjistri Elektronik Kombëtar i Sponsorizimeve, i administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe i integruar me platformën ‘e-Albania’”, u shpreh ministri.
Sipas projektligjit, kontratat duhet të regjistrohen brenda 60 ditëve. Sponsori dhe përfituesi do të kenë detyrim të raportojnë për përdorimin e fondeve dhe realizimin e projektit. Institucionet publike, nga ana e tyre, duhet t’i publikojnë kontratat brenda 10 ditëve. Për donacionet dhe sponsorizimet nga burime të huaja, në rastet e parashikuara me ligj, kërkohet miratim paraprak me shkrim.
“Ky projektligj nuk vjen për të zëvendësuar përgjegjësinë kushtetuese dhe ligjore të shtetit për financimin e kulturës, sportit, arsimit apo shëndetësisë”, theksoi Gonxhja. “Përkundrazi, ai vjen për ta plotësuar dhe shumëfishuar atë.”
Objektivi i nismës, sipas ministrit, është hapja e rrugëve të reja të financimit për artistët, sportistët, federatat dhe organizatat kulturore. Po ashtu, ajo synon të nxisë formalizimin e ekonomisë dhe të forcojë lidhjen mes kulturës, sportit, turizmit dhe zhvillimit ekonomik.
“Zhvillimi i Shqipërisë në këtë fazë të re kërkon jo vetëm politika publike dhe investime shtetërore, por edhe një angazhim të strukturuar të sipërmarrjes private”, tha ai në fund. “Ky projektligj e kthen mbështetjen për interesin publik në një përgjegjësi dhe mundësi të përbashkët për të gjithë.”
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.