ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se forca e tij politike do të rikthejë rritjen ekonomike në shërbim

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se forca e tij politike do të rikthejë rritjen ekonomike në shërbim të mirëqenies së qytetarëve, duke i dhënë fund mjerimit dhe goditje vendimtare varfërisë.
Duke folur nga “Foltorja e Ripërtëritjes”, në Lezhë, mbrëmjen e sotme (6 tetor), Berisha kritikoi qeverisjen aktuale, duke e krahasuar sjelljen e deputetëve të shumicës me atë të individëve që zbatojnë urdhrat pa pyetur për pasojat. Ai theksoi se ata votojnë çdo akt dhe ligj pa marrë parasysh interesat e qytetarëve.
Berisha vuri në dukje rritjen e çmimit të naftës, duke thënë se ndërsa qeveritë në vende të tjera ndërhynë për ta zbutur, në Shqipëri u hoq subvencionimi për fshatarët. Sipas tij, kjo tregon mungesë totale ndjeshmërie ndaj fermerëve, të cilët rrezikojnë të lënë tokën djerrë.
“Kemi arritur në një fazë…në rast se zbresim në rrafshin psikologjik, njeriu ka të gjitha vlerat morale dhe virtytet, por u them unë ju që njeriu në thellësitë e psikologjisë së tij edhe barbarinë. Një studiuese e madhe shkoi në gjyq në të cilin po dënohej një oficer gjerman që kishte marrë pjesë në asgjësimin e disa milionë hebrenjve. Dhe kjo tani i tha vetes, tani do shoh monstrën e vërtetë. Kur shkoi aty gjeti një njeri që verbërisht zbatonte urdhrat.
Gjeti një njeri që si deputetët e Edi Ramës verbërisht votojnë kundër qytetarëve. Jo, tha ai, unë zbatoja urdhrat. Çfarë bëjnë këta deputetë? Votojnë çdo akt, çdo ligj pa pyetur se ekzistoni ju. Më falni, a u rrit nafta për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme? U rrit kudo. Çdo vend në botë, qeveria ndërhyri për të ulur naftën. Dhe ky pikërisht këtë vit u hoqi fshatarëve edhe atë subvencionim. Çfarë tregon kjo? Kjo tregon se ti ke një mungesë të tmerrshme ndjesie për problemet e mëdha të atij fermeri. Me se do e punojë tokën ai? Me parmendë. Me krahë ose do e lerë djerrë. Një injorim total. Ne i japim fund kësaj”, tha Berisha.
Ai premtoi rikthimin e virtyteve morale që kanë mbajtur kombin, me fokus te ndihma për më të vobektit dhe më të pamundurit.
Mes premtimesh konkrete, Berisha njoftoi se barra shtetërore ndaj qytetarëve do të përgjysmohet, sipërmarrësit do të kenë konkurrencë të ndershme dhe të lirë, ndërsa fermerët e Lezhës do të përfitojnë të njëjtin subvencion si ata të vendeve fqinje. Ballkani i Hapur do të anulohet në javën e parë të qeverisjes, ndërsa do të vendoset minimumi jetik prej 200 eurosh për çdo qytetar.
“Ne do rikthejmë atë virtyt moral që ka mbajtur kombin tonë në shekuj, ndihma që ishte për më të vobektit, më të pamundurit. Kurse sot ne do rikthejmë me të gjithë forcën tonë rritjen ekonomike në mirëqenie për xhepat e qytetarëve. U garantoj se të gjithë zhvillimin e këtij vendi ne do ta bazojmë përsëri në aftësinë, në mendjen, gjeninë krijuese të qytetarëve shqiptarë. Barra shtetërore ndaj tyre do përgjysmohet. Sipërmarrësit do kenë konkurrencë të ndershme, të lirë. Fermerët e Lezhës do kenë të njëjtin subvencion që kanë fermerët e vendeve përreth. Ballkani i Hapur do anulohet javën e parë të qeverisjes. Do vendoset minimumi jetik 200 euro për çdo qytetar. Pra, një gjë u siguroj, që do ndahemi nga mjerimi dhe do i japim goditje vendimtare varfërisë. Ndaj dhe ju ftoj të përgatisim PD-në për këtë mision të madh të ripërtëritjes së këtij vendi të bekuar, të cilin një organizatë kriminale në qeveri po e rrënon çdo ditë e më shumë”, deklaroi më tej Berisha.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.