ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Ndalimet gjatë protestave, Avokati i Popullit: Protestuesit dhunohen edhe pasi neutralizohen. Blloku i Sigurisë i mbipopulluar Komisioneri i Avokatit të

Ndalimet gjatë protestave, Avokati i Popullit: Protestuesit dhunohen edhe pasi neutralizohen. Blloku i Sigurisë i mbipopulluar
Komisioneri i Avokatit të Popullit, Ahmet Prençi, ka bërë të ditur se grupet e ngritura nga institucioni kanë qenë në terren për monitorimin e situatës në komisariate, në Bllokun e Sigurisë dhe në Spitalin e Traumës, pas shoqërimeve të kryera gjatë protestës.
Sipas Prençit, në Bllokun e Sigurisë janë gjetur 118 persona, mes të cilëve ishin edhe 6 të mitur. Ndërsa në Spitalin e Traumës janë gjetur gjashtë protestues, njëri prej të cilëve i mitur.
Prençi bëri të ditur se janë administruar 6 ankesa për përdorim të dhunës në Bllokun e Sigurisë, ku pretendohet se ka pasur dhunë gjatë ndalimit dhe shoqërimit të personave.
Komisioneri ngriti shqetësime edhe për kushtet në Bllokun e Sigurisë, duke deklaruar se në dhomat e sigurisë të planifikuara për 1 person, qëndrojnë nga tre deri në katër persona. Ai tha se kapaciteti zyrtar i institucionit është 60 persona, por aktualisht ka një mbipopullim pothuajse dyfish.
“Grupet e ngritura nga institucioni kanë qenë në terren për monitorimin në komisariate, Bllokun e Sigurisë dhe Spitalin e Traumës. Në Bllokun e Sigurisë u gjetën 118 persona, të cilët u kontaktuan nga ana jonë dhe mes tyre kishte 6 të mitur. Në Traumë u gjetën 6 protestues, ku njëri ishte i mitur.
U administruan 6 ankesa për përdorimin e dhunës në Bllokun e Sigurisë, ku u pretendua për dhunë gjatë ndalimit dhe shoqërimit të personave. Pamjet filmike janë shqetësuese për dhunën ndaj protestuesve, edhe pas neutralizimit të tyre. Po analizojmë pamjet dhe kemi marrë denoncime e ankesa edhe përmes telefonit. Çdo kufizim duhet të ketë bazë dhe të dokumentohet”, tha ai.
Prençi kërkoi nga policia që të ruajë pamjet filmike nga ambientet e shoqërimit, marrjes në pyetje dhe qëndrimit të personave të shoqëruar. Ai bëri të ditur se, pas përfundimit të hetimeve administrative, rastet kur konstatohen shkelje të ligjit nga ana e policisë ndaj protestuesve do t’i referohen Prokurorisë.
“Në dhomat e sigurisë, për një person qëndrojnë 3-4 persona, ku 2 persona flenë në dysheme. Kapaciteti zyrtar është për 60 persona, kemi një mbipopullim gati dyfish. Gjatë kontaktit me 6 të miturit që mbahen në Bllokun e Sigurisë, u konstatua se ata nuk janë në dhoma të veçanta, ku duhet të jenë sipas ligjit. Ankesat janë për kufizimin e kontakteve me familjarët, avokatin dhe psikologun për të miturit. Ne kërkojmë që e drejta për tubim paqësor të garantohet dhe dënojmë çdo akt dhune, pavarësisht se kush e shkakton atë. Policia duhet ta përdorë forcën në mënyrë proporcionale dhe kur është e nevojshme”, tha ai.
Në përfundim, ai njoftoi se institucioni po shqyrton edhe çështje që lidhen me hedhjen e gazit lotsjellës, përdorimin e plumbave plastikë dhe kuadrin ligjor për shoqërimin e personave
“Kërkojmë nga policia të ruajë pamjet filmike në Bllokun e Sigurisë, të shoqërimit, marrjes në pyetje dhe shoqërimit të personave. Pas hetimeve tona, do t’i referojmë në Prokurori rastet kur ka shkelje të ligjit nga ana e policisë ndaj protestuesve. Ne jemi në procesin e shqyrtimit të hedhjes së gazit lotsjellës dhe përdorimit të plumbave plastikë, si dhe të rregullimit ligjor të momentit të shoqërimit të personave. Mendojmë se ka nevojë për një ligj të ri për rregullimin e policisë”, u shpreh Prençi.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.