ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Ish-Presidenti i kohës së luftës së Kosovës, Rexhep Meidani, ka reaguar pas vendimit të Hagës, e cila dënoi me 81

Rexhep Meidani, ish-presidenti i Shqipërisë gjatë luftës në Kosovë, ka dhënë një reagim të ashpër ndaj vendimit të Gjykatës në Hagë. Trupi gjykues dënoi katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me gjithsej 81 vite burg.
Meidani theksoi se asnjë nga gjyqtarët nuk ka lidhje me Kosovën dhe nuk mund ta kuptojë situatën e vërtetë. Sipas tij, drejtësia e munguar duhet të vihet në vend, por vetëm në përputhje me vullnetin e popullit kosovar.
“Unë isha president në vitet e errëta kur Shqipëria hapë kufijtë dhe zemrën për vëllezërit shqiptarë që dëboheshin nga shtëpitë e tyre nga regjimi i Millosheviçit. E kam përjetuar direkt represionin që nga koha si pedagog në Prishtinë, që në vitin 1981, kur na u mbyllën universitetet dhe u ndalua çdo komunikim me studentët. Si udhëheqës politik, pashë me sytë e mi kulmin e egërsisë ndaj popullit shqiptar, nivele të papara gjenocidale,” u shpreh ai.
Ish-presidenti shqiptar ngre pyetje të forta mbi legjitimitetin e gjykatës. “Aktgjykimi mban emrin e popullit të Kosovës, por në trupin gjykues nuk ka asnjë gjyqtar prej andej dhe seanca nuk u mbajt në tokën e saj. Si mund të flitet në emër të një populli që proteston jashtë sallës dhe nuk ka zë brenda saj?” pyeti Meidani. Ai shtoi se procesi ende vazhdon dhe drejtësia duhet të reflektojë vullnetin e popullit.
Meidani u ndal veçanërisht te konteksti historik që sipas tij nuk duhet anashkaluar. “Kosova dhe populli i saj ishin viktima e dhunës serbe, jo palë e barabartë me agresorin. Përgjegjësia individuale, nëse ekziston, nuk e ndryshon këtë fakt historik, as nuk vihet në diskutim pavarësia e fituar me gjak,” deklaroi ai, duke shtuar se shumë zëra perëndimorë e kanë pranuar këtë të vërtetë.
Meidani mbrojti fort liderët e dënuar: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. “Asnjë vendim gjyqësor nuk mund t’u mohojë vendin që zënë në historinë kombëtare. Ata morën përsipër një barrë të madhe historike në momente shumë të vështira, kur liria ishte ende një ideal. Unë i njoha si djem të guximshëm e luftëtarë trima, plot emocion dhe gatishmëri për sakrificë, jo si kriminelë,” shtoi ish-presidenti.
Ai bëri thirrje për veprim konkretpolitik. “Sot mendoj për këta katër burra dhe familjet e tyre, që mbajnë peshën e procesit prej gati gjashtë vitesh. Shqipëria zgjodhi rrugën perëndimore, por besnikëria ndaj aleatëve nuk do heshtje kur shohim padrejtësi. Duhet t’u kërkojmë miqve perëndimorë të respektojnë parimet e demokracisë: lirinë, barazinë dhe drejtësinë për të gjithë,” u shpreh ai.
Meidani përfundoi me një qëndrim të prerë. “Këto dënime duhet të kundërshtohen me çdo mjet ligjor deri në shkallën e fundit. Kuvendi i Kosovës ka për detyrë të vendosë se kjo gjykatë, në formën e saj të tanishme, nuk ka të drejtë të flasë më në emër të një populli që nuk e njeh si të vetin,” përfundoi reagimin e tij ish-presidenti Meidani.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.