“Zbarkuan në jug pjeshkat… edhe unë”

E mërkurë e nxehtë në Tiranë. Ti je në zyrë duke ju përvjedhur syve të shefit e duke u munduar të shkruash në një grup whatsapp-i prej 6 vetësh.

Në një bisedë ku nuk e merr vesh i pari të dytin të gjithë duan të njejtën gjë: plazh! “Sa veta bëhemi?” “Me ça makine do ikim?” “Marrim makinën e vëllait tim se harxhon më pak.” “Po e dashura jote do vijë?” Si të mos mjaftojë gjithë kaosi virtual, është edhe ndonjëri që dërgon mesazhe me zë, se përton të shkruajë. Bëheni dy makina. Ti je single dhe do vetëm të dalësh nga Tirana, të freskohesh, të njohësh dikë ndoshta. Të gjitha historitë e filmave nisin gjatë pushimeve.

E pse të mos kalosh edhe ti një nga ato aventurat e çmendura që njerëzit tregojnë nëper internet?

Niseni të shtunën në mëngjes, sepse shumica punojnë deri pasdite të premteve. E mendoni të niseni pas pune, por “nuk ja vlen të paguash hotelin”. E shtunë herët, shumë herët.

Aq herët saqë sapo zgjohesh të kap ajo ndjesia e kohëve kur shkoje në Durrës më tren për të bërë plazh. Sigurisht do shkoni në jug. A ja vlen rruga? Po sigurisht! Të gjithë shkojnë në jug, pak rëndësi ka sa e ke rrogën. Ndaloni për të futur naftë pak para “shqiponjës”, gjithmonë mbyllur biseda me shokun-shofer që thotë “hajt se rregullohemi me lekët”.

Fillon trafiku sapo del nga Tirana, sepse nuk jeni te vetmit mendjendritur që do nisen herët. Pasi kaloni Durrësin rruga bëhet më komode. Ziheni rrugës a do ndaloni për kafe e mëngjes.

“Kthehemi hamë ndonjë byrek në Lushnje se janë me nam.” Vendosni që kafen ta pini në Vlorë, të mos vonoheni rrugës. Hyn në rrugët në ndërtim të Fierit dhe fillon sërish trafiku. E kaloni me muhabet, duke bërë planet se ku do e bëni plazhin dhe ku do flini.

Vlora është një kaos qëkurse ti e mban mend, të duket sikur je duke e ngrënë pluhurin e rrugës megjithëse me xhama mbyllur. Mundoheni të gjeni nje vend buzë detit për atë kafen që kishit në plan. Nuk ka vende buzë detit! Sa më shumë largohesh drejt Rradhimës aq më e vështirë bëhet për të parkuar. Arrini të ndaloni për një kafe të shpejtë me njërën nga makinat të lënë “keq”, merrni nga një croissant në dorë dhe niseni. Ndërsa ecni drejt rrugës së ngushtë që lë pas Orikumin e të ngjit drejt Llogarasë, ti drejton shokunshofer për të shmangur gropat në rrugë.

Janë të njejtat, i di përmendësh. Ndaloni tek çesma për ujë të ftohtë. Në fakt keni ujë, por ndaloni gjithsesi. Ndaloni edhe në majën e Llogarasë, të bëni foto. Në të njëjtin vend, në të njejtin pozicion…si çdo herë kur kaloni këtej. Gjatë rrugës keni vendsour që do të qëndroni në Dhërmi. “Hotel gjejmë pas dreke”. Shkoni në një nga plazhet më të famshme të kësaj vere. Aty ku ka patur më shumë foto në instagram. Parkoni makinat, sigurisht në diell, dhe rehatoheni nëpër shezlongë. Deti është një mrekulli. “Ulemi e pijmë një kafe?” Pini kafen e dytë ndërsa ti “skanon” terrenin për ndonjë fytyrë të njohur.

Të dalin dy veta nga lagja, njëra që ke patur në shkollë, njëri që ke takuar njëherë tek Tatimet, edhe plot fytyra me të cilat je përplasur herë pas here në Tiranë. Një vajzë që hipi pas teje pardje tek autobusi i “Tiranës së re” për shembull. E mban mend nga tatuazhi flutur ne kyçin e dorës. Është duke bërë selfie vetëm nën çadër. Laheni, vajzat i bëjnë foto njëra-tjetrës në breg, luani letra.

Bën ndonjë batutë me vajzat e çadrës ngjitur, njëra duket se po të jep muhabet. Ndërkohë ka filluar “Shkuma-party” tek lokali ngjitur dhe muzika e lartë ka filluar të të bezdisë.

Të hahet. Jeni vetëm me atë croissant-in dhe kafe gjithë ditën. Zgjidhni rastësisht një restorant aty pranë. Atë që ka më shumë njerëz. Porosit makarona me fruta deti. Nuk e di pse, ndonjëherë i bëjnë të mira. Ndoshta të ngopin. Ndërkohë sallatë fshati, salcë kosi, patatë të skuqura, birrë.

Ju shijon dreka. Kur paguani pas llogarive komplekse matematike për të pjestuar faturën, largoheni drejt shezlongëve. “Nuk gatuanin gjë këtu!” Do të qërasësh atë vajzën ngjitur me diçka dhe bën me mend llogaritë e lekëve që ke më vete. Bën 7mijë lekë një Mojito. Porosit një birrë për vete dhe një për vajzën e cila të buzëqesh. Njëra nga vajzat e grupit tënd të ofron patetina për birrën. I kishte marrë me vete nga Tirana për rrugës, por nuk ishte kujtuar ti hapte. Duhet të gjeni hotel. Levizni 3 veta me makinë. Pas shumë “skemi vend” dhe “70euro nata”, mendon se më mirë do ishte të ktheheni në Vlorë për të fjetur.

Gjeni dhoma të lira në njërën nga shtëpitë-hotel. Pa kondicioner. Pasditen e kaloni në plazh. Në darkë pasi kërkoni për ndonjë që bën sanduiça, vendosni të hani pica. Pasdarke birra nga një market i vogël aty afër dhe gallatë. Atë vajzën simpatike nuk e pe më, por i bëre follow në instagram, mbase shiheni në Tiranë. Të nesërmen në mëngjes prapë croissant. Ankoheni për dyshekët dhe për vapën gjatë natës. Keni vendosur për plazh në Jalë. Nuk jeni vend, pas shumë përpjekjesh “gjeni bosh” vetëm ato çadrat 15mijë lekshe. I merrni. Vajzat e kalojnë gjysmën e kohës duke bërë foto, ti pi kafe dhe mendohesh dy herë përpara së të porosisësh birrë. Shijon shfaqjen e trupave, ngjyrave, rrobave dhe byçëve, ndërkohë që përpiqesh të nxish atë formën e bardhë të bluzes që të ka ngelur në trup deri në mes të krahut.

Ikni nga ora 3. Në një dyqan të vogël rrugës blini bukë, sallam, domate e djathë për “piknik” në Llogara. Në fakt nuk keni më lekë për tu shtruar për drekë. Është dreka më e shijshme që ke ngrënë ndonjëherë! Shijoni freskinë ndërsa jeni future diku larg rrugës, të mos ju shohin kryeqytetasit që kthehen.

Ndërsa zbrisni kujtohesh si nuk hëngre një kos me arra në Llogara. Hajt mo, herën tjetër. Fillon trafiku në Vlorë, të gjithë duke u kthyer për Tiranë e duke postuar në Insta për fundjavën e mrekullueshmë që patën. Asnjë nuk ka fuqi të ‐asë, vetëm njëra nga vajzat mbrapa që ankohet se e djeg dielli. Hidhet ideja për ndonjë kafe, por “ja sa të kalojmë trakun këtu”. Pastaj trafik në Levan,pastaj në Cakran, pastaj në Fier. Ktheheni në Tiranë nga darka duke u futur mes gjithë atyre makinave që kthehen me ty nga “jugu”, nga Durrësi e nga Gjiri i Lalëzit. Sapo ndaheni fillon shpërndarja e fotove të grupi i whatsapp-it. “Sa bukur ja kaluam.”, “Kur do shkojmë prapë?? ” I admiron vajzat e grupit tënd dhe fotot e tyre të instagramit nga “pushimet luksoze në jug”. #weekendmode #drymades #vacations #mojito Ti ndërkohë je ulur me të mbathura mbi divan, duke pritur të ngrohet dushi, dhe duke llogaritur sa lekë ke derisa të marrësh rrogën. Sikur të kishte pranuar she† të ta bënte 500mijë. Derri!/Love in Albania

Kontrolloni gjithashtu

Një tjetër shqiptare në tregun muzikor amerikan

[ad_1] Këngëtarja shqiptare me emrin Njomza do ta lansoj albumin e saj të parë në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *