Hashim Thaçi u shpreh se nuk është njoftuar zyrtarisht për vizitën e përfaqësuesit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, por theksoi se është me rëndësi që përfaqësuesit ndërkombëtar që merren me këtë çështje, ta njohin Kosovën si shtet i pavarur.
Ai shprehu edhe njëherë besimin te lidershipi amerikan.
“Nuk jam informuar ende zyrtarisht, do të shohim axhendën. Pastaj do përgjigjem si president i vendit. Por për ne është me rëndësi që përfaqësuesit ndërkombëtarë që merren me këtë çështje ta trajtojnë Kosovën si vend i pavarur dhe sovran, çdo qasje tjetër është e dështuar kushdo që të jetë ai. Kemi besim të plotë në qasjen e SHBA-ve dhe besojmë se lidershipi i presidentit Trump dhe dinamika e ambasadorit Grenell do jenë efektive dhe do shënojnë rezultate”, u shpreh Thaçi.
I pyetur se kush do ta udhëheqë dialogun me Serbinë, presidenti shtoi se ai do të drejtohet nga “përfaqësuesit legjitim të Kosovës”.
“Ne nuk jemi në garë me njëri-tjetri, por do ta plotësojmë njëri-tjetrin”, tha ai.
Më herët, presidenti francez Emmanuel Macron tha se dialogu Prishtinë-Beograd mund të rinisë gjatë një samiti të ardhshëm në Paris. Macron, në një telegram urimi dërguar kryeministrit të ri të Kosovës, Avdullah Hoti me rastin e zgjedhjes në këtë detyrë, shprehu besimin se Hoti do t’i marrë masat e nevojshme për të bërë të mundur rifillimin e dialogut dhe tha se Serbia gjithashtu duhet të bëjë pjesën e saj të përpjekjeve.
Burimi: top-channel.tv