Vila: Gati ta nisim me fitore kundër Laçit

0
Gjigandi

Teuta ndez “motorët” para rifillimit të kampionatit. Tashmë nuk ka më dyshime, pasi më 3 qershor skuadra do të zbresë në fushë për të sfiduar Laçin në transfertë. Vështirësitë do të jenë të mëdha, e megjithatë në Durrës janë të vendosur për të luajtur gjithçka në këto 10 javë që kanë mbetur. Këtë e thotë edhe Emiljano Vila, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”. Mesfushori nuk e quan përcaktuese sfidën e parë postpandemisë, por beson te një fitore.

Si është gjendja e skuadrës në prag të ndeshjes me Laçin?

Skuadra është përgatitur si duhet. Gëzojmë formë të mirë, ndërkohë që dhe ata lojtarë që kishin probleme janë rikthyer dhe kanë kapërcyer shqetësimet. Po stërvitemi fort dhe trajneri na ka kërkuar të vlerësojmë djersën që derdhin në këto seanca dhe investimin.

Keni dy ndeshje vendimtare jashtë fushe me Laçin dhe Bylisin…

Nuk është tamam kështu, pasi kampionati ka dhe një fazë. Shpresoj t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Por edhe humbja e barazimi janë në mes. Nëse fitojmë ndaj Laçit, gjërat ndryshojnë. Na presin ndeshje të forta, për këtë nuk kam asnjë dyshim. Duhet të punojmë shumë për menaxhimin e rezultateve dhe lojës. E them këtë pasi kemi shënuar shpeshherë të parët, por nuk kemi ditur ta menaxhojmë rezultatin deri në fund të 90- minutëshit. Tani duhet të ndryshojmë diçka.

RonaTyra

Sa e vështirë do të jetë për Teutën në transfertën kurbinase?

Fusha do të jetë ajo që do të tregojë cili ekip është më i fortë. Të dyja skuadrat kanë lojtarë cilësorë dhe organikë shumë të mirë. Ky takim mund të konsiderohet edhe si një test. Por ne do t’i përgatisim ndeshjet për t’i menaxhuar dhe për t’i fituar ato. Do japim maksimumin për të triumfuar në këtë takim. Pikët janë në lojë dhe ne do të kërkojmë të arrijmë Europën. Do të bëjmë gjithçka për të marrë rezultate pozitive, sepse e përsëris, pikët janë aty.

Pikët e plota janë synimi juaj në këtë sfidë?

Objektivi është i njëjti, duhet të japim gjithçka gjatë 90 minutave dhe pas ndeshjes të dalim me kokën lart nga fusha. Detyrim nuk është fitorja, por të japim më të mirën në këtë përballje. Tashmë skuadra është e plotë dhe do luajmë me një synim të vetëm, fitoren.

Do t’ju kënaqte një barazim këtë herë?

E thashë edhe më lart, përgjatë 90 minutave do të japim gjithçka për të marrë maksimumin. Të gjithë duhet të tregojmë fytyrën tonë të vërtetë në një ndeshje vendimtare si kjo ndaj Laçit. Janë edhe 10 ndeshje që do të konsiderohen të gjitha si finale. Në të gjitha këto përballje duhet të marrim maksimumin, pasi futbolli ka edhe të papritura. Duhet përqendrim maksimal derisa të arrijmë objektivin.

Këta objektiva kanë ndryshuar?

Duhet të ruajmë vazhdimësinë dhe t’i marrim ndeshjet hap pas hapi. Duhet të rritemi si ekip, pasi është me rëndësi të fitojmë dhe të kemi një objektiv tjetër, që është ngjitja më lart në zonën euro.

Mund të synonit dhe Kupën për të shkuar më shpejt në Europë?

Kjo varet nga ecuria. Jemi më shumë të fokusuar te kampionati. Më pas vjen Kupa, që ka një tjetër specifikë. Do të bëjmë çdo gjë për të fituar ndeshjen ndaj Vllaznisë, e më pas do të shohim prioritetet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu