Vendi ku vijon tradita e rrëmbimit të grave për t’i bërë nuse

0
Gjigandi

Zyrtarët në ishullin Sumba në Indonezi po përpiqen të sensibilizojnë për ndalimin e praktikës së kontestuar të rrëmbimit të vajzave për t’u martuar me to, pas publikimit të një videoje që ka ndezur debatin kombëtar mbi fenomenin.

Pengmarrja e nuseve ose siç njihet në vend ‘kawin tangkap’, është zakoni me origjinë të debatuar në Sumba ku femrat merren me forcë nga miqtë ose familjarët e burrave që duan të martohen me to.
Megjithë thirrjet për ndalimin e veprimit nga grupet e të drejtave të grave praktika vazhdon në disa zona të ishullit të largët Sumba.
Por pas regjistrimit në video dhe publikimit në mediat sociale të dy pengmarrjeve kohët e fundit, qeveria po bën thirrje për ndalim të praktikës.
Përveç fesë islame dhe kristiane, në Sumba praktikohet dhe feja e lashtë animiste Marapu, sipas së cilës çdo objekt apo vend ka një ekzistencë shpirtërore.
“Në Sumba njerëzit besojnë se nëse uji prek ballin tënd, nuk mund të dalësh me nga shtëpia”, thotë Citra, një nga viktimat e fundit të një pengmarrjeje për martesë. “Unë e dija çfarë po ndodhte, kështu që kur ata u përpoqën ta bënin ktheva kokën në momentin e fundit që uji të mos më prekte”.
Ajo thotë se pengmarrësit e saj i thonin vazhdimisht se po e bënin nga dashuria për të dhe se po e joshnin të pranonte martesën.
Citra tregon se u mbaj për gjashtë ditë si e burgosur në shtëpinë e tyre. Por familjarët e saj me ndihmën e organizatave të grave negocjuan për lirimin e saj me të vjetrit e fshatit dhe familjarët e dhëndrit.
Grupi i të drejtave të grave Peruati ka dokumentuar shtatë pengmarrjeje nusesh në katër vitet e fundit, nga të cilat vetëm tre gra, duke përfshirë dhe Citra, arritën të liroheshin. Ndërsa në një nga dy rastet e fundit të kapura në video, gruaja qëndroi në martesë.
“Ajo qëndroi sepse nuk kishte zgjidhje tjetër,” thotë aktivistja Aprissa Taranau. “Kawin tangkap nganjëherë mund të jetë një formë martese me mblesëri dhe gratë nuk kanë mundësi të negocjojnë.”
Ajo shton se gratë që e bëjnë këtë stigmatizohen nga komuniteti.
Historiani vendas Frans Wora Hebi argumenton se praktika nuk është pjesë e traditave kulturore të Sumbas, por vazhdon prej mungesës së veprimit nga autoritetet.
“Nuk ka ligj kundër saj, vetëm nganjëherë ka kritika sociale kundër atyre që e bëjnë, por jo mjete ligjore apo kulturore”. (BBC)

Burimi: top-channel.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu