Vdiq nga Covid-19, MSh dhe profesorët e Universitetit homazhe për prof. Arjan Pushin: 213 mjekë përzgjedhin specializimet në mjekësi

0
Gjigandi

Tiranë – Me masat e mbrojtjes personale, duke respektuar kushtet e sigurisë për shkak të epidemisë së shkaktuar si pasojë e COVID19, u zhvillua sot në Universitetin e Mjekësisë konkursi i përzgjedhjes së specializimeve në Mjekësi.

“Edhe pse në kushtet e epidemisë, vendosëm që edhe këtë vit, për të pestin vit radhazi të çelim konkursin e përzgjedhjes së degëve të specializimeve në Mjekësi, një proces transparent që udhëhiqet nga Rektorati dhe Universiteti i Mjekësisë.  Janë 213 mjekë të rinj do të fillojnë procesin e specializimeve këtë vit”, tha Manastirliu.
Duke theksuar se fokusi këtë vit është vendosur te specializimi I mjekut të familjes, Manastirliu tha se degët që I është kushtuar më shumë kuota janë ato specialitete që kanë më shumë nevoja.
“I kemi kushtuar më shumë vëmendje kuotave për specializimin e mjekut të familjes bazuar në strategjinë tonë të kujdesit parësor, si dhe specializimet e anestezi-reanimacionit, kardiologjisë, pediatrisë, mjekësisë interne, kirurgjisë. Do të vijojmë të ndjekim politikën tonë të hapjes së specializimeve në mënyrë që të vijojmë të kemi mjekë të specializuar dhe qytetarët ta marrin shërbimin aty ku jetojnë”, tha Manastirliu.
Më shumë se 300 mjekë specialistë me kuota të dedikuara për Ministrinë e Shëndetësisë tashmë shërbejnë në spitalet publike falë procesit të specializimeve në vitet e fundit si dhe rreth 800 mjekë të specializuar në të gjithë sistemin, një proces i cili u rihap pas një bllokimi 4 vjeçar.
Në ditën e përzgjedhjes së degëve për mjekët që nisin specializimin, Ministrja Manastirliu dhe profesorët e studentët e Universitetit të Mjekësisë kanë bërë homazhe për prof. Arjan Pushin, i cili humbi jetën një ditë më parë si pasojë e koronavirusit.
“Jam këtu për të nderuar prof. Arjan Pushin për kontributin e tij të çmuar në Universitetin e Mjekësisë dhe punën për shumë vite në spital. Duhet ta kthejmë këtë dhimbje në forcë për të vijuar luftën kundër COVID19. Sistemi shëndetësor vijon të jetë në gatishmëri dhe apelojmë çdo qytetar të respektojë masat për të kufizuar përhapjen e këtij virusi të rrezikshëm”, tha Manastirliu.
“Është një ditë gëzimi për specializantët që përmbyllin sot përpjekjet e tyre për të kurorëzuar ëndrrën e tyre. Për ne është një ditë dhimbje sepse kemi humbur një koleg, një mik. Shpresoj që njerëzit të bëhen të ndërgjegjshëm që sëmundja është aty, që risku është shumë I madh dhe nëse ne duam veten tonë, të afërmit dhe duam që vendi të eci përpara, duhet të mësohemi me këtë normalitet të ri dhe të respektojmë ato rregullat bazë për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të infeksionit”, u shpreh prof. Arben Gjata, Rektor i Universitetit të Mjekësisë.
“Ky proces ndodhi në një ditë zie për Fakultetin e Mjekësisë për humbjen e kolegut të nderuar por është edhe shumë domethënës fakti që në këtë moment zie për ne, ne përsëri transmetojmë një mesazh shprese për këta qindra mjekë që sot fillojnë karrierën e tyre profesionale. Besoj edhe për profesorin e ndjerë, nuk do të kishte formë respekti më të mirë”, tha prof. Xheladin Draçini, dekan i Fakultetit të Mjekësisë.

Burimi: top-channel.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu