Tre gjyqtarë lirohen nga akuzat për shkak të moskryerjes së hetimeve

0
15
Gjigandi

Dyshimet e SPAK, se gjyqtarët, të cilët pranuan kërkesën e Dritan Dajtit për gjykim të shkurtuar, mund të ishin korruptuar në dhënien e vendimit, u shuan përfundimisht të hënën më 26 tetor, kur gjyqtarja Miliana Muça e Gjykatës së Posaçme pranoi kërkesën e akuzës për pushimin e hetimeve.

Kryetari i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Sandër Simoni, i tha BIRN-it se ditën e hënë, në orën 14:00, është zhvilluar seanca kur është pranuar kërkesa e Prokurorisë për pushimin e hetimeve ndaj gjyqtarëve Skënder Damini, Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj.

“Gjykata e ka kthyer dy herë për kryerjen e verimeve hetimore të tjera. Nga ana e Prokurorisë janë kryer veprimet hetimore të kërkuara nga Gjykata, ku në përfundim të tyre, përsëri Prokuroria ka arritur në përfundimin se nuk ka prova për atribuim akuze dhe ka kërkuar pushimin e çështjes ndaj tyre”, shpjegoi gjyqtari Simoni.

Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e katër punonjësve të Policisë dhe ndodhej në qeli prej masakrës së vitit 2009. Megjithatë, më 8 shkurt 2019 një trupë gjyqësore e komanduar pranë Apelit vendosi të shuante burgimin e përjetshëm për Dajtin, duke e dënuar atë me 25 vjet burg.

Edhe pse çështja shqyrtohej në Gjykatë prej 10 vitesh, tre gjyqtarët Skënder Damini, Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj në shumicë, vendosën të pranojnë kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar, çfarë solli uljen e 1/3 së dënimit.

Dy gjyqtarët e tjerë në pakicë ishin Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha. Pak ditë pas vendimit të debatueshëm, Krimet e Rënda urdhëruan kontrolle në shtëpitë e 3 gjyqtarëve që zbutën dënimin për Dritan Dajtin.

Më 14 shkurt 2019, Policia kontrolloi shtëpitë e gjyqtarëve Skënder Damini në Vlorë e Tiranë, Aleks Nikolli në Lezhë dhe Petrit Aliajt në Sarandë. Kontrollet u kërkuan nga prokurori Klodian Braho dhe u autorizuan nga ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, pasi dyshohej se tre gjyqtarët mund të ishin përfshirë në korrupsion lidhur me vendimin lehtësues në favor të Dritan Dajtit.

Pse u prish vendimi me katër burgime përjetë

Çështja ndaj Dajtit, e cila testoi gjithë sistemin gjyqësor në vend, u zvarrit për vite me radhë, pas tërheqjes së njëpasnjëshme të avokatëve dhe tërheqjes së trupave gjykuese. Megjithatë më 23 korrik 2014 Gjykata e Faktit të Krimeve të Rënda dënoi Dajtin me 4 burgime të përjetshme. Vendimi megjithatë nuk qe jetëgjatë.

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda prishi vendimin e Shkallës së Parë, pasi sipas saj nuk ishte mbajtur parasysh e drejta e Dajtit për të pasur përfaqësues ligjor.

Gjykata e Shkallës së Parë pati arsyetuar se i kishte dhënë të gjitha mundësitë për mbrojtje të akuzuarit, po ai kishte refuzuar të zgjidhte avokat, ndërsa avokatët e caktuar u tërhoqën në mënyrë të mistershme.

SHQYRTIMI I ÇËSHTJES

Prej 10 vitesh, seancat gjyqësore për shqyrtimin e çështjes në ngarkim të Dritan Dajtit shtyheshin vazhdimisht. Që prej vitit 2009, ai qëndroi në paraburgim dhe me vendimin e fundit të Gjykatës të dhënë vitin e kaluar, Dajti ka kryer një pjesë të mirë të dënimit.

Dritan Dajti u dënua fillimisht nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësve të Policisë Fato Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave me pasojë vdekjen e shtetasit Ledjon Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku, “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, “Falsikimi i dokumenteve” në bashkëpunim, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, duke falsifikuar dhe përdorur tri dokumente policie, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” duke mbajtur dokumente dhe shenja dalluese të Policisë së Shtetit.

Njoftime falas, njoftime pune

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu