Kur duhen edhe pak më shumë se 3 orë nga starti i sfidës mes Turqisë dhe Shqipërisë, tifozët kuqezinj kanë nisur të mbushin rrugët e Stambollit, për t’u organizuar për përballjen e sotme, e cila do të jetë si një “finale” për të besuarit e Rejës përsa i përket shanseve për kualifikim. Tifogrupi “Tifozat Kuq e Zi”, mësohet se do të mblidhet në orën 17:30 në “The Harp Irish Pub” në Stamboll, ku dhe do të bëhet shpërndarja e biletave dhe shitja e produkteve deri në orën 19:00. Më pas tifozët shqiptarë do të marshojnë drejt stadiumit, për t’u akomoduar në tribunën përkatëse. Nuk mungojnë as tifozët me përkrenaren e Skënderbeut dhe qeleshe!