‘Tërmet 3-ballësh’ nga Vrioni, sulmuesi ynë i kombëtares mrekullon Austrinë

0
‘Tërmet 3-ballësh’ nga Vrioni, sulmuesi ynë i kombëtares mrekullon Austrinë
Gjigandi

Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Giacomo Vrioni ka dhuruar spektakël mbrëmjen e djeshme në kampionatin austriak, teksa ka arritur të realizojë tre gola për Tirolin.

Vrioni zhbllokoi rezultatin për ekipin e tij që në minutën e 11-të, ndërsa 20 minuta më vonë shënoi edhe golin e dytë personal. Sulmuesi shqiptar nuk e mbylli me kaq, teksa arriti të realizojë edhe golin e tretë personal në minutën e 80-të të takimit.

Një paraqitje mbreslënëse kjo e futbollistit kuqezi, që ka gjetur rrugën e rrjetës 15 herë në këtë edicion futbollistik. Një lajm shumë i mirë edhe për trajnerin Edy Reja, që e ka rikthyer në kombëtare sulmuesin në pronësi të Juventusit dhe e ka gati për Ligën e Kombeve.

Po cili është djaloshi shqiptar, i cili ka ikur qysh fëmijë në Itali dhe është formuar atje si futbollist. Kjo intervistë e tij për faqen zyrtare të FSHF-së zbulon gjithçka.

Si lindi dëshira dhe pasioni yt për futbollin?

RonaTyra

Që në moshë fare të vogël e kam pasur gjithmonë këtë pasion, i transmetuar tek unë nga im atë. Kam filluar duke luajtur me shokët e mi në rrugë, më pas erdhi shkolla e parë e futbollit dhe për të vazhduar me ekipet e moshave në Matelica, skuadër e qytetit tim, ku aktualisht luan edhe vëllai im. Me kalimin e kohës pasioni është transformuar në një punë të bukur.

Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

Sigurisht që figura më e rëndësishme për mua ka qenë ajo e babait tim. Ai më ka qëndruar gjithmonë pranë qysh në fillimet e mia, kur më shoqëronte në seancat stërvitore, por edhe një mbështetje e vazhdueshme në rrugëtimin tim. Shikon gjithmonë ndeshjet e mia nga ekrani i televizorit dhe më mbështet në mënyrë të përditshme.

Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin në kombëtare?

– Më duhet të them që jam pritur menjëherë shumë mirë nga shokët e skuadrës në ekipin kombëtar dhe jam shumë i kënaqur për këtë. Kam marrëdhënie shumë të mira me të gjithë, bëhet fjalë për një grup shumë të bashkuar. Kam pasur mundësi të njihem me trajnerin Reja, dëgjohemi shpesh në telefon. Është një trajner ekspert dhe beson tek unë.

Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga Kombëtarja dhe debutimin me ngjyrat kuqezi?

Grumbullimi im i parë në Kombëtaren A ka qenë pa asnjë diskutim një motiv i madh krenarie, kurorëzimi i një rrugëtimi që kishte filluar me përfaqësuesen U-21 të Shqipërisë, me të cilën kisha shënuar gol edhe në debutim. Kam pasur fatin të debutoj me skuadrën e parë në ndeshjen e Ligës së Kombeve në Izrael, një moment që do ta kujtoj përgjithmonë.

I rishikon ndeshjet e tua pasi luan? Dhe nëse po, çfarë i thua vetes?

Ndonjëherë ndodh që i rishikoj ndeshjet. Jam shumë autokritik, kërkoj shumë nga vetja dhe kërkoj të evidentoj me kujdes aspektet në të cilat mund të përmirësohem, në mënyrë që të rritem si lojtar.

Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

Të largohesh nga qyteti ku je rritur në moshë të vogël nuk është aspak e lehtë. Më mungon afeksioni i njerëzve, duke filluar nga familja, por edhe miqtë e mi. Për fatin e mirë ndonjëherë prindërit e mi vijnë të më takojnë dhe në përgjithësi mundohen gjithmonë që të mos na rëndojë largësia, duke përdorur telefonatat ose video-telefonatat.

Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Objektivi është ai për të shkuar sa më larg të jetë e mundur nëpërmjet punës së përditshme, si në nivel klubi ashtu edhe me fanellën e skuadrës Kombëtare. Për mua është një nder të luaj me Juventusin dhe të përfaqësoj Shqipërinë dhe do të bëj gjithçka është e mundur për të shpërblyer besimin e atyre njerëzve, të cilët më kanë mbështetur.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu