Tension dhe panik

0
Gjigandi

Është ulur sipari i kampionatit të Kategorisë së Tretë dhe verdiktet e tij janë këto: Labëria dhe Bulqiza në Kategorinë e Dytë, Valbona në “Play off”. Labëria, me trajner Arlind Rustemajn, është shpallur kampione e kësaj kategorie, duke zhvilluar një kampionat shumë të mirë. Një skuadër me një organizim model. Labëria e mbylli kampionatin me barazimin me Kinostudion. Ishte një ndeshje formale, pasi trofeu i kampionit ishte siguruar.

Takimi nisi me një surprizë nga kundërshtari që duartrokiti kampionët. Kinostudio shënoi e para me Amir Sadikun, në të dytën labët barazuan me kapitenin Myderozi dhe më pas Çaushaj i kaloi në epërsi, por mbrojtësi Karaj shënoi një supergol, duke bërë që takimi të mbyllet 2-2. Gjatë lojës ka pasur edhe momente paniku për mesfushorin Fatmir Bega, i cili doli me barrelë nga fusha, pasi dëmtoi rëndë shpatullën e djathtë dhe përfundoi në spital. Pati edhe tension midis kapitenit të Kinostudios Teodori dhe gjyqtarit e katërt për një ofendim, sipas lojtarit.

Pas ndeshjes u zhvillua ceremonia e dorëzimit të kupës. Bedri Omuri i dorëzoi trofeun kapitenit vlonjat, Gani Myderozi dhe më pas shpërtheu festa. Divjaka i bëri një mbyllje të mirë kampionatit, teksa u rendit e katërta me një fitore tenistike ndaj Pirustit. Ka shkëlqyer donatori dhe futbollisti Klidjan Hasalami, i cili përveçse sponsorizoi ekipin, arriti të shënonte në ndeshjen e fundit. Golat e tjerë për Divjakën u shënuan nga Gerist Malko (tripletë), Ibraliu dhe Capo.

Për Pirustin shënoi Shehu. Divjaka tani shpreson që ekipet e para të mos plotësojnë kushtet për të qenë ajo në Kategorinë e Dytë. Valbona mundi Osumin 7-3. Një tripletë nga Besmir Shehu, dhe më pas golat e Hajdarit, Markut, Berishës dhe Tarës i dhanë fitoren skuadrës tropojane. Për Osumin shënuan Rizaj, Lila dhe Hoxha. Pas kësaj fitoreje, ekipi tropojan renditet i treti dhe do zhvillojë ndeshje “Play Off”-i me humbësen e finales së vendeve të 11-ta të Kategorisë së Dytë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu