Si dështoi OBSH në menaxhimin e pandemisë Covid-19

0
Gjigandi

Gjeti fushëbetejën e përshtashme për një luftë të egër me njerëzimin. Në një botë të përçarë, me mungesë liderishipi, siç thotë OKB, të përhumbur në konflikte e kriza politike, e pa bashkëpunim në ndarjen e informacioneve, Covid-19 nuk e pati të vështirë të vinte me shpatulla pas murit prenë e tij.

Armiku ishte një, por i vendosur, ndërsa kundërshtarët kishin numrat, por jo unitetin… Avantazhi kryesor i virusit që fillimisht pushtoi titujt botërorë në fund të vitit të kaluar, ishte errësira e informacionit që shoqëroi ekzistencën e tij.

U deshën javë para se Kina dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, të zbulonin diçka më shumë për koronavirusin misterioz që prekte rrugët e frymëmarrjes.

Shumë e akuzojnë Kinën për fshehje të qëllimshme të informacionit, me presidentin amerikan Donad Trump që e fajëson për tragjedinë që kaploi botën. Por më shumë se sa Pekini, ajo që po shqetëson të gjithë, është aftësia e organizmit më të lartë të shëndetësisë në botë për të menaxhuar krizën.

Në sy të të gjithë botës, që ndiqte me vëmendje çdo dalje publike të drejtorit të përgjithshëm Thedros Adhanom Gebreyesus, organizata bëri hapa fals që në fillesat e emergjencës. Kina informoi fillimisht OBSH për raste të dyshimta pneumoni më 31 dhjetor. Në 5 janar, organizata tha se nuk kishte prova për transmetim të virusit nga njeriu në njeri.

RonaTyra

OBSH, 5 janar: “Bazuar në informacionet paraprake nga ekipi i hetuesve kinezë, nuk ka prova për transmetim të rëndësishëm nga njeriu në njeri”.

Këtë teori e rikonformoi në 14 janar, përmes një postimi në Twitter, por në të njëjtën ditë Komisioni i Shëndetësisë në Wuhan, tha se mundësia e transmetimit të virusit mes njerëzve nuk mund të përjashtohej.

Më 22 janar, OBSH, pas një vizite të shkurtët në Kinë, bëri një deklaratë shumë më të qartë, duke thënë se në Wuhan po ndodhte transmetim i virusit mes njerëzve. Vlen të përmendet se inspektorë të organizatës nuk shkelën në Kinë para javës së dytë të shkurtit. 

Në fund të janarit, OBSH-ja vlerësoi Kinën për përpjekjet në frenimin e përhapjes së virusit, dhe për përkushtimin ndaj transparencës, siç u shpreh Lawrence Gostin, ekspert i shëndetësisë publike.

“Vlerësimi i papërmbajtur i OBSH-së ndaj Kinës është shqetësues. OBSH-ja duhej të ishte treguar më kritike, e ta ndiqte më nga afër situatën”.

Por edhe pasi Kina zbuloi se transmetimi te njerëzit po ndodhte, OBSH-ja vijoi të minimizonte rrezikun, e madje e zhvendosi vëmendjen te nevoja për të mos diskriminuar Kinën dhe popullsinë e saj

Tedros Adhanom Ghebreyesus: “Armiku më i madh më të cilin përballemi nuk është virusi vetë, por damka që na kthen kundër njëri-tjetrit”.

Më 10 janar, Ghebreyesus paralajmëroi botën kundër kufizimit të udhëtimeve si mënyrë për të frenuar përhapjen. Ai kritikoi qasjen e Shteteve të Bashkuara, për pezullim të udhëtimeve me Kinën.

OBSH 10 janar: “Kufizimi i lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave gjatë emergjencave shëndetësore është joefikas në shumicën e situatave”.

Nuk do të kalonte shumë kohë, para se organizata përgjegjëse për shëndetin publik, koordinimin e fushatave të vaksinimit dhe emergjencave shëndetësore, të bënte një kthesë 360 gradë, duke promovuar izolimin si mënyrën më efikase të luftimit të pandemisë. Megjithatë, një studim i publikuar nga gazeta për menaxhimin e emergjencave zbuloi se ndalimet e udhëtimeve kishin qenë të efektshme vetëm në terma afatshkurtër, në frenimin e përhapjes së viruseve të tilla si Ebola e SARS.

Një tjetër qëndrim kontradiktor i OBSH-së, për të cilën është vënë nën cikonin e kritikave të kryesuara nga Donald Trump, ka të bëjë me çështjen e maskave. Pyetjes nëse të gjithë duhet t‘i mbanin maskat, organizata iu përgjigj që prej fillimit menjë “jo” të prerë.

OBSH: “Maskat duhet të mbahen vetëm nga personat e sëmurë dhe punonjësit e shëndetësisë. Nuk është e nevojshme që personat e shëndetshëm t’i mbajnë”.

Rekomandimi u ndoq nga një sërë vendesh, nga Shtetet e Bashkuara në Singapor. Por gjithçka do të ndryshonte pak javë më vonë

Mike Ryan, drejtor ekzekutiv i programit të emergjencave në OBSH: “Përdorimi masiv i maskave, si ato profesionale edhe ato artizanale, mund të ndihmojnë në frenimin e përhapjes së pandemisë”.

Ky ndryshim i qëndrimit lidhej me provat gjithmonë e në rritje se disa persona të infektuar nuk shfaqnin simptoma, e rrjedhimisht rrezikonin të tjerët.

Polemikat ushtuan pas publikimit aksidental të një dokumenti ku OBSH-ja shprehej se ilaçi i përfolur si antidoti i mundshëm për trajtimin e pandemisë, Remdesivir nuk kishte dhënë rezultat. Por konstatimi bie ndesh me pretendimet e ekspertëve të shëndetësisë në SHBA, përfshirë këshilltarin e lartë Anthony Fauci, se rezultatet e testimit të ilaçit antiviral ishin premtuese.

Kompania prodhuese e tij, Gilead, publikoi një studim që sugjeroi se 50% e pacientëve të trajtuar me 5 doza të ilaçit ishin shëruar.

Kontroverse edhe deklarata e fundit lidhur me Suedinë.

Ndërsa prej kohësh këmbëngul se izolimi është mënyra më e mirë për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit, në një kthesë të befasishme nga OBSH-ja vjen deklarata se bota duhet të ndjekë modelin e Suedisë, e cila refuzoi t’i bindej regjimit të kufizimeve.

Mike Ryan: “Duhet të nxjerrim mësime nga mënyra se si Suedia u mbështet në marrëdhënien me qytetarët e saj dhe vullnetin e tyre për të zbatuar rregullat e distancimit social”.

Me siguri, rasti i Suedisë vlen të studiohet, por OBSH-ja duhet të jetë e qartë në atë që kërkon. Donald Trump, po udhëheq fushatën e kritikave kundër organizatës, duke ndërprerë madje edhe financimet për të.

Shtetet e Bashkuara, që vitin paraardhës kontribuuan me mbi 600 milionë dollarë financime, akuzojnë OBSH-në për keqmenaxhim të krizës dhe favorizim të Kinës. Organizata mohon pretendimet, dhe në një deklaratë të fundit mbrojti mënyrën e menaxhimit të krizës. Bota kishte kohë mjaftueshëm të përgatitje, tha Ghebreyesus. Por e vërteta është se  autoritetit më i lartë shëndetësor në botë e ka humbur tashmë besueshmërinë, dhe bota ka gjithmonë e më pak arsye për ta dëgjuar atë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu