Sekuestrohet Ora News/ Gjykata foli, a do dalin në shitje pasuritë dhe televizioni i Ylli Ndroqit?

0
Gjigandi

SPAK pas disa muajsh intensiv këtë 3 nëntor 2022 foli nëpërmjet vendimit për konfiskim të pjesës më të madhe të pasurive të zotëruara nga Ylli Ndroqi, të sekuestrua në vitet 2020 dhe 2021 si të dyshuara se janë produkt i veprimtarisë kriminale.
Mes pasurive të konfiskuara që do t’i kalojnë shtetit janë edhe shoqëria “Ora”, që përfaqëson televizionin “Ora News” dhe 30% e kuotave të shoqërisë “Channel One”.
Në listën e gjatë të pasurive të konfiskuara janë pjesët takuese të Ylli Ndroqit në 11 shoqëri tregtare; katër troje, katër njësi shërbimi; katër automjete luksoze; një garazh, një sipërfaqe tokë arë dhe një sipërfaqe pyll.
Sipas vendimmarrjes së gjyqtares Etleva Deda, të gjitha këto pasuri do t’i kalojnë në pronësi shtetit. Ndërkohë, gjykata ka vendosur të revokojë masën e sekuestrove të vendosura me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK në vitet 2020 dhe 2021 për dy apartamente; dy troje dhe një njësi tregtare.


Në vendimin e shkurtuar të gjykatës thuhet se konfiskimi është kryer bazuar në ligjin e vitit 2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i njohur ndryshe si ligji “Antimafia”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, midis të ardhurave të shtetasit Ylli Ndroqi dhe familjarëve të tij dhe pasurive që ata kanë krijuar nga viti 1998 deri në vitin 2020, ka një diferencë prej 3 milionë euro.


SPAK ka njoftuar më parë se Ylli Ndroqi, i njohur gjithashtu si Xhemal Pasmaçiu, është arrestuar në shtator 1998 në Turqi në kuadër të operacionit “ESAS” për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 30.5 kg heroinë si dhe janë arrestuar përveç tij edhe Ismail Cira, Musa Kazim AY, Fatmir Sofia, Hekuran Hoxha, Cevdet Sahin Balcilar dhe Abdulselam Yunus.
Ndërsa në vitin 2004, autoritetet italiane e kanë referuar Ndroqin tek autoritetet gjyqësore si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë.

Por si kanë nisur hetimet për Ylli Ndroqin?

Hetimet ndaj Ylli Ndroqit nuk kanë nisur në datë 21 korrik 2020, datë në të cilën u regjistrua procedimi pasuror ndaj tij. Në shkresa rezulton që Spak kishte nisur verifikimet ndaj Ylli Ndroqit më tepër se një vit më parë në vazhdën e veprimeve të nisura gjatë hetimit të Hekuran Hoxhës, një trafikant droge që doli në copëzat e dosjes 339.
Në kërkesën e dorëzuar nga prokurorët e posaçëm të Spak përmenden të dhënat e nisura nga italianët në datën 1 prill 2019 . Shprehimisht prokurorët e Spak i thonë gjykatës ? ky fakt konfirmohet edhe nga shkresa e Ministrisë së Brendshme të Italisë, numër protokolli UCI/ALB/RF410-8/5/2020.


Në datë 1 prill 2019, dërguar zyrës qendrore kombëtare Interpol Tirana, ku konfirmohet se nga verifikimi i kryer në bankën e të dhënave, ka rezultuar se shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaciu) me datëlindje tjetër 11.01.1960 , në ngarkim të tij rezultojnë precedent policor ne fushën e narkotikëve, konkretisht në ngarkim të tij urdhër arresti me burg dhënë në mars 2006 nga GIP pranë Gjykatës së Milanos?.
Në këtë kthim përgjigje që konfirmon se ndërkohë autoritetet shqiptare kishin nisur interesimin për Ylli Ndroqin, shpjegohet më tej se katër vite pas këtij vendimi, dhe përkatësisht më 31 mars 2010, Gjykata e Torinos deklaroi humbjen e vlefshmërisë së masës së arrestit. Ky informacion është konfirmuar gjithashtu edhe nga drejtoria qendrore e shërbimit antidrogë shprehet Spak, që thekson se pranë arkivave të saj rezulton emri i Ylli Ndroqit, në ngarkim të të cilit rezulton masa paraprake e sipërpërmendur e Gjykatës së Milanos, vendim si rezultat i mbylljes së hetimeve të koduara ‘Triangolo d’oro’, të kryera nga grupi operativ i antidrogës i Guardia di Finanza në Milano.
Ylli Ndroqi, në vitin 2004 është referuar nga autoritetet gjyqësore pas operacionit “Bakllava” si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë.
Në vijim thuhet më tej ai u arrestua në shkurt 2015 bazuar në urdhër arrestin e lëshuar në vitin 2006.

Çfarë u bë shkak që Ndroqi u kthye në shënjestër

Bëhet me dije se pas zbulimit të trafikantit Hekuran Hoxha, Spak nisi verifikimin ndaj këtij shtetasi që doli si pjesë e dosjes 339.


Hekuran Hoxha, i moshës 50 vjeç akuzohet për trafik narkotikësh përderisa në përgjime del mes organizatorëve së bashku me biznesmenin Admir Hoxha teksa presin të sistemojnë disa shtetas turq, që do të angazhoheshin më pas në laboratorin e Brenogës në Has të Kukësit. Ylli Ndroqit nën emrin e mëparshëm Xhemal Pasmaciu kreu në 1998 së bashku me Hekuran Hoxhën në Turqi një udhëtim droge, për të cilin u arrestuan turq e shqiptarë e madje sipas Interpol Ankarasë edhe vetë ai nën dyshimet se ishte pritës i 30 kg heroinë.
Hekuran Hoxha edhe Ylli Ndroqi u arrestua në Turqi nga skuadrat antidrogë, një operacion që nisi nga indiciet e një tjetër trafikanti të quajtur Abduselam Turgut, që më herët është arrestuar në Shqipëri, por u arratis i qetë falë dhuratës që i bëri
gjykata e apelit Tiranë disa vite më parë me masën arrest shtëpie me adresë Kthesën e Kamzës.
Si arriti të ngrihej nga zullumi i krimit Ylli Ndroqi

Ylli Ndroqi (Xhemail Pasmaçiu) arriti të depërtonte në tregun shqiptar si një biznesmen i mbrojtur falë mbështetjes së fortë politike dhe hapjes së një televizioni që e përdori si mburojë për vite me radhë.
Disa emra shfaqen si bashkëpunëtorë trafikantë në vitin e largët 1998. Mes ish-trafikantëve, Ismail Cira, Musa Kazim AY, Fatmir Sofia, Hekuran Hoxha, Cevdet Sahin Balcilar, Abdulselam Turgut (Yunus) që u kapën në Turqi me heroinë, bashkë me Ylli Ndroqin, Abduselam Turgut mbeti mik për kokë me presidentin e “Ora News”.
Kjo pasi influenca e Ndoqit ishte e jashtëzakonshme edhe në vitin 2011 kur turku, i cili kërkohej me ngulm nga Gjermania u la për 40 ditë në arrest shtëpiak nga Gjykata shqiptare me një vendim të dyshimtë të Gjin Gjonit, vendim i cili më pas i dha lirinë.
Por, nëse Ndroqi arrinte të kamuflohej me sukses me mënyrat dhe manitë e tij për të marrë tituj konsujsh në familje e për t’iu shmangur kontrolleve policore, ishte sërish jo më trafikanti, por terroristi Turgut, që doli në publik sërish.
Ishte vetë turku i cili u zbulua në një komplot me celula terroriste iraniane për të kryer sulme terroriste në Shqipëri në ditën e Sulltan Nevruzit.


Adbulselam Turgut u lirua vite më parë nga Gjykata e Apelit me masën e arrestit shtëpiak, në një kohë që në Shqipëri nuk kishte adresë. Lirinë ja mundësuan miqtë e tij shqiptarë që paguan miliona. Dosja e tij në Policinë e Shtetit u rihap dy vite më parë dhe një portal shkroi për disa detaje. Për këtë shkak u pezullua nga puna edhe një oficere, me dyshimin se zbuloi të dhëna sekrete. Në fakt, nuk ishte ajo që e nxori sekretin. Atë gjë e bëri dikush tjetër. Zhurma u shua shpejt.
Sot Ylli Ndroqi (Xhemail Pasmaçiu) edhe pse i zhveshur nga pushteti e pasuria, deklaron, nëpërmjet medias që vendimi i spak është sulm politik por që faktet dhe e shkuara flasin vetë…
Illyridium Media Grup ndjen keqardhjen ndaj kolegëve që janë punonjës në Ora News dhe shpresojmë se qindra familje që mbahen nga ato rroga mos të kenë fatin e Ylli Ndroqit por puna në televizion të vijoj dhe ti jepet zgjidhje sa më parë. /Abc24.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu