Rrugët e bukura dhe të vështira të Shqipërisë, sa të sigurt janë shqiptarët?

17

Rrugët e bukura dhe të vështira të Shqipërisë, sa të sigurt janë shqiptarët?

Nga Orges Karaj

Është bërë e udhës tashmë në Shqipërinë tonë të vogël por me probleme të mëdha që jeta e shqiptarëve të jetë e kërcënuar nga një sërë faktorësh. Bilanci i aksidenteve vazhdon të jetë i lartë saqë mund të krahasohet edhe me një bilanc lufte.

Shpesh dëgjojmë: “Ne shqiptarët jemi të pakujdesshëm qoftë në rolin e këmbësorit, qoftë në rolin e shoferit.” Por a jemi ne fajtorët e vërtetë? Apo problemi qëndron më lart, aty ku hartohen dhe miratohen ligjet? Shqiptarët akuzohen si shkelës së rregullores së sinjalistikave rrugore kur në fakt ato nuk zbatohen as nga ata të cilët i shkruajnë këto ligje. Një qytetar i Londrës nuk është më i kujdesshëm sesa ne, por janë ligjet dhe siguria e rrugëve të cilët e bëjnë atë të jetë më i sigurt teksa ecën në rrugët e Londrës.

Çdo ditë në rrugë kryesore të qytetit përballemi me një semafor jashtë funksioni, ku rrezikohet jeta e të gjithëve ne, por mbi të gjitha e fëmijëve me çantën e shkollës në shpinë. Flas brenda për brenda qyteteve kryesore sepse jashtë tyre semaforët as nuk ekzistojnë ndonëse mjetet e transportit rrugorë janë kudo.

Çdo ditë kalojmë në rrugë kryesore të qytetit ku gropat janë të pranishme. Çdo ditë kalojmë në rrugë të amortizuara të cilat marrin jetë njerëzish. Çdo ditë shqiptarët kalojnë mbi dhjetëra ura ku i rrezikohet jeta. Shumë ura në të gjithë Shqipërinë kërkojnë ndërhyrje emergjente. Autoriteti përkatës duhet të bëj ndërhyrje të menjëhershme në rikonstruktimin e urave që paraqesin probleme dhe jo të presin duarkryq momentin kur urat të shëmben totalisht dhe pasojat të jenë fatale.

Çdo ditë shqiptarët kalojnë në rrugë malore ku vihet re mungesa e mbrojtëseve të rrëshqitjes së dherave dhe gurëve, të cilat janë një tjetër kërcënim për jetën e shqiptarëve. Ngrica e krijuar në periudhën e dimrit kërcënon çdo ditë jetën tonë teksa ngasim automjetet apo teksa ecim nëpër rrugët e qytetit. Në të gjitha vendet e botës kriposja e rrugëve bëhet në çdo rrugë qyteti dhe  fshati ndërsa në Shqipëri kriposja bëhet vetëm në disa akse kryesore për efekt lajmi në media.

Në zonat rurale e malore transporti automobilistik duhet të zëvendësohet me atë ajororë sepse shpesh rrugët janë të bllokuara, ku njerëzit nuk shkojnë dot as në qendrat spitalore. Shqipëria nuk është në luftë por shqiptarët çdo ditë humbin jetën në rrugët e saj. Boll zbukuruam fasada, por të shpëtojmë jetë njerëzish duke përmirësuar kushtet e transportit rrugor, përpara sesa të jetë shumë vonë. Duket se akoma edhe për disa kohë shprehja popullore “Na ruajt zoti” do të na shoqëroj teksa lëvizim nëpër rruget e Shqipërisë tonë të bukur!

You might also like
Comments