Rrëfimi i rrallë i trajnerit, që zbuloi CR7: Portugalia u shokua, kur thashë se do të kapërcente Figon dhe Eusebio

0
Gjigandi

Një mijë ndeshje të luajtura, 726 gola, pesë “Topa të Artë”, katër “Këpuca të Arta”, pesë Champions, gjashtë tituj kampioni kombëtar (liga), një Europian, golashënuesi më i mirë i Real Madridit (451 gola), i Champions-it (128) dhe i Portugalisë (99)… Kjo është, me pak fjalë, trajektorja që ka bërë që Cristiano Ronaldo dos Santos Aveiro në karrierë, si një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave. 

Një karrierë që mund të ishte shumë e ndryshme, nëse nuk do të kalonte nëpër duart e László Bölöni. Trajneri aktual i Royal Antwerp (Antwerp) e udhëhoqi Sporting CP drejt fitimit të titullit të tij fundit në kampionatin portugez, në sezonin 2001-2002. Asokohe debutoi edhe CR7 me klubin luzitan, teksa mbante mbi shpinë numrin 28.

Trajneri rumun i dha atij mundësinë e debutimit kundër Interit (0-0). Ronaldo zëvendësoi Toñito në minutën e 58-të, më 14 gusht 2002. Asokohe ishte 17 vjeç, gjashtë muaj dhe nëntë ditë… Bölöni ia mati “pulsin” djaloshit të ri, që kishte luajtur vetëm dy ndeshje me filialin e Sporting (ekipin e dytë). “Unë shkova për të parë ndeshjen e të rinjve të klubit dhe i kërkova që të vinte të stërvitej me ekipin e parë, sepse kishte një fizik të mirë. Cristiano ishte shumë i shpejtë, kishte teknikë të shkëlqyeshme. Kjo nuk ishte befasi për mua” – thotë ai për “Marca”. 

Surpriza erdhi në seancën e tij të parë stërvitore me më të rriturit: “Kur e pashë në veprim, vendosa që ai të mos luante përsëri me të rinjtë. Ronaldo ishte një burrë i ri. Në dhomën e zhveshjes bënte shaka, por në fushë nuk falte, kthehej në një lojtar të jashtëzakonshëm. Ai kishte një pjekuri, që nuk është normale për dikë 16-17 vjeç”.

Nën drejtimin e tij nisi edhe “metamorfoza” e CR7 si futbollist. Bölöni jo vetëm i dha mundësinë e debutimit me ekipin e parë, por ndryshoi stilin e tij të të luajturit: “Cristiano luante si “9” me të rinjtë, por unë vendosa ta aktivizoj si ekstrem të djathtë, sepse ishte i ri, i lehtë, peshonte 60 kilogramë. Do të ishte shumë e vështirë për të, që të luante me shpinë dhe të përballej me kundërshtarë që peshonin deri në në 100 kg. Në anën e djathtë të sulmit, me shpejtësinë dhe driblimin fantastik që posedonte, do të ishte shumë më efikas”.

RonaTyra

Dhe ky ndryshim roli në fushë hyri në fuqi: “Cristiano ishte i lumtur. Tani, me një fuqi tjetër, luan përsëri si sulmues i parë. Sidoqoftë, me Ferguson, te Manchester United, vazhdoi të luante si sulmues i djathtë. Në atë pozicion fitoi edhe “Topin e Artë” të parë, më 2008. Më kujtohet se më ftoi në atë ceremoni dhe më tha faleminderit. Ishte fantastike, – thotë trajneri, që e ka rikthyer Antwerp në një finale të Kupës, 28 vite më vonë. – E dija se me shpejtësinë dhe driblimin e tij, Cristiano do të ishte më efikas në krahë se në qendër të sulmit”.

Besimi i tij te CR7 ishte total: “Për mua nuk ishte befasi. Nuk e dija që ai do të ishte një nga më të mirët në histori, por premtonte për një lojtar shumë të mire, pa lëndime. Në atë kohë më pyetën për Cristiano në një intervistë dhe unë thashë se do të tejkalojë Figon dhe madje Eusébio. Këto fjalë krijuan një problem për mua, sepse ata janë dy Zotë në Portugali. Unë guxova të krahasoja një djalosh të ri me dy Zota… Ronaldo, megjithatë, ka treguar se kisha të drejtë”.

Kur bëhet fjalë për pozicionimin e tij në dualitetin Messi-Cristiano, trajneri që i mundësoi debutimin ylli portugez, fshihet: “Cili është më i mirë? Unë nuk mund të jem objektiv, Ronaldo do të jetë gjithmonë “djali” im. Ai filloi me mua te Sporting CP. Në çdo rast, ne të gjithë jemi me fat që kemi shijuar dy monumente, që po shkëlqejnë prej 10-15 vitesh. Cruyff tha se është e rëndësishme të jesh më i miri, por është më e rëndësishme të qëndrosh në krye”. 

Cristiano debutoi kundër Interit dhe para ndalesës së futbollit, për shkak të koronavirusit, po kundër Interit luajti ndeshjen e 1000-të të karrierës së tij në elitë. “Zonja e Vjetër” fitoi derbin e Italisë 2-0, por Ronaldo nuk shënoi. Aty përfundoi momenti i tij më i mirë, pasi u largua nga Real Madridi. Në moshën 35-vjeçare, ai kishte shënuar në 11 ndeshje radhazi të Serie A.

Edhe për sa kohë do të kemi një CR7 të tillë? “Askush nuk mund të thotë se sa kohë do të qëndrojë në majë. Ekziston një cilësi, për të cilën nuk kishim folur: mentaliteti i tij, tipik i një gladiatori. Ai është shumë i fortë, gjithmonë dëshiron më shumë. Ronaldo është një djalë shumë punëtor, ka një fizik të privilegjuar, teknikisht është një futbollist më i realizuar… Nëse nuk ka ndonjë dëmtim, unë mendoj se mund të luajë edhe për disa vite të tjera”, – thotë László Bölöni, trajneri që zbuloi Cristiano, e bëri atë të debutojë me Sporting CP në vitin 2002 dhe e “specializoi” si sulmues krahu, në të djathtë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu