Ritualet e fiseve indigjene anullohen teksa koronavirusi ‘lulëzon’ mes popullatës tribale

0
Gjigandi

Liderët e grupeve fisnore indigjene në parkun kombëtar Xingu në Brazil kanë anulluar për herë të parë në histori ritualin e tyre më të madh të quajtur Kuarup, prej pandemisë së koronavirusit.

Krerët fisnorë thonë se koronavirusi “po bën kërdinë” në Brazil me rritje të vdekjeve në fshatrat e largët të xhunglave.
Agjencitë për grupet indigjene të Brazilit kanë akuzuar qeverinë për mungesë planesh veprimi për mbrojtjen e popullatave prej qindra mijëra njerëzish nga Covid-19.
Brazili deri tani ka shënuar dy milionë raste të prekurish dhe 76,000 vetë raportohet se kanë humbur jetën.
Javën e kaluar edhe presidenti brazilian rezultoi pozitiv me koronavirus.
Në një takim virtual me përfaqësues të qeverisë, agjencia e popujve indigjenë Apib tha se qeveria ka nënvlerësuar pasojat e pandemisë te kjo pjesë e popullatës.
Zhvillimi vjen teksa liderët fisnorë të rezervatit Xingu anulluan për herë të parë festivalin e rëndësishëm vjetor.
Ceremonia e quajtur Kuarup, i bën homazh të vdekurve dhe organizohet mes korrikut e shtatorit.
Në grumbullimin e të gjithë fiseve fqinje celebrohet jeta, vdekja dhe rilindja.
Një nga eventet e saj kryesore është prezantimi i të gjitha vajzave të reja që kanë provuar për herë të parë menstruacionet që do të thotë se po afrohet koha që ato të gjejnë një partner. Ato lyejnë trupin e tyre dhe veshin ornamente të shumta teksa kërcejne.
Festivali nderon gjithashtu të vdekurit.
Ianukula Kaiabi Suia, president i grupeve indigjene në Xingu tha për mediat vendase se ritualet që duhet të fillonin javën që vjen nga 23 korriku, do të shtyhen derisa të jetë e sigurtë përsëri mbajtja e tyre.
Ai tha: “Kuarup është eventi më i madh që ndodh në pjesën e sipërme të Xingu ku qindra mblidhen për t’i thënë lamtumirë të vdekurve. Në të marrin pjesë si njerëz nga brenda dhe nga jashtë parkut prandaj shoqata na ka këshilluar për rreziqet e pandemisë që mund të përfshihen në ceremoni”.
Përgatitja për festivalin e Kuarup bëhet gjatë gjithë me kërcime, luftime, ngjyrosjen e trupave dhe trungje simbolike peme të cilat përfaqësojnë të vdekurit.
Takuma Kuikuro, një nga liderët e popujve Kuikuro tha: “Kjo është një periudhë e shenjtë për ne dhe ishte një vendim shumë i vështirë e traumatik pasi nuk e dimë se kur mund të shënohet kjo datë. Ne do të qëndrojmë në zi derisa rituali ynë të mund të performohet”.
Shifrat e hartuara nga agjencitë tregojnë se në çdo 100,000 brazilianë indigjenë 1,479 janë të infektuar me Covid-19, në krahasim me 907 në çdo 100,000 brazilianë.
Sipas censusit demografik në Brazil popullata indigjene e vendit arrin në 896,900.
Në parkun kombëtar të Xingu ka rreth 7,500 njerëz nga 16 grupe etnike indigjene që zënë rreth 2,642,000 hektarë tokë.

Burimi: top-channel.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu