Rama për koronavirusin: Nuk duam të mbyllemi, por zbatoni masat

0
22
Gjigandi

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zhvilloi një takim me Task Forcën anti-COVID rreth një javë përpara hyrjes në fuqi të masës për vendosjen e maskave në çdo ambient jashtë shtëpisë.

Pasi përsëriti edhe njëherë qëndrimin e qeverisë, se opsion nuk është një rimbyllje si pasojë e pandemisë, ai i bëri thirrje qytetarëve që të zbatojnë masat e thjeshta për të mos shkelur sakrificat e muajve të tërë.

“Nuk duam të mbyllemi, nuk duam t’iu themi njerëzve që shkojnë në punë rrini në shtëpi. Nuk duam t’iu themi atyre që lëvizin të mos e bëjnë këtë gjë. Nuk duam të mbyllim shkollat. Nuk duam t’iu themi studentëve rrini në shtëpi. Nuk duam të mbyllim kopshtet. Nuk duhet të mbytemi nga presioni i infeksionit. Mbytja mund të vijë në pak javë nëse nuk zbatojmë masat”.

“Duan të jetojnë syhapur dhe të dëgjojnë muzikë, dhe jo zërin e arsyes. Dhe ku ia mbyll muzikën dëgjojnë ca që bëjnë konspiracion që Bill Gates do t’iu fusë çipa në trup. Nuk po i kërkohet njeriut të plagoset për atdheun, por të mos dalë nga shtëpia pa vënë maskën, të ruajë distancën dhe të mos e provokojë këtë armik të përbashkët”.

Kreu i qeverisë shqiptare foli dhe për krijimin e rrjetit të inspektorëve që do të qëndrojnë përkrah punonjësve të policisë në misionin për të monitoruar zbatimin e masave anti-COVID.

“Kjo e sotmja është një përpjekje e shtuar për të bërë gjithçka që kemi mundësi që të arrijmë të pengojmë përshkallëzimin e përhapjes së infeksionit jashtë një ritmi të arsyeshëm. Në mënyrë që të mbrojmë ata që janë më të dobët dhe sistemin tonë nga një mbingarkesë që mund ta bënte të pamundur shërbimin ndaj qytetarëve që kanë nevojë dhe për shërbimet e përditshme në shëndetësi. Dhe objektivi tjetër për të shmangur me çdokusht një mbyllje tjetër që po tmerron të gjithë botën. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha përpara popullit të saj se jeta do të rikthehet, por është momenti për të bërë kujdes për të mos përmbysur këto sakrifica”.

“Kemi vendosur të krijojmë këtë rrjet inspektoratesh që funksionojnë në kohë normale për sigurinë, ushqimin, mjedisin, barnat dhe shëndetin për të qenë në rrugë kudo ku sipas hartës janë edhe burimet më të mëdha të rrezikut. Për të qenë në rrugë, për të sensibilizuar dhe komunikuar dhe lajmëruar policinë që të bëjë detyrën. Për t’u vendosur në udhëkryq bashkë me punonjësit e policisë dhe për të parë me sytë e shtetit sjelljen e qytetarëve”.

“Politika e vendosjes së maskës ka ndryshuar në dinamikë si shumë gjëra dhe në nivelet më të larta të ekspertizës botërore. Ne nuk bëjmë përjashtim. Jemi nxënës të mirë dhe të dëgjueshëm të zërave më autoritarë të botës. Kemi pasur fatin që kemi pasur në dispozicion një skuadër ekspertësh që janë të nivelit të lartë. Duke mësuar jemi adaptuar si të gjithë. Sot që flasim vendosja e maskës vijon të krijojë polemika në botë dhe falë edhe gjuetisë, sportit global të sensacioneve dhe të lajmeve, përmes kanaleve të pafundme të informacionit edhe në majën e botës gjen kryetituj kontradiktorë”. 

Njoftime falas, njoftime pune

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu