Projekti 2 miliardë euro/ Nisja e ndërtimit të portit të Durrësit u premtua në mars

0
Projekti 2 miliardë euro/ Nisja e ndërtimit të portit të Durrësit u premtua në mars
Gjigandi

“Monaco duhet të na e ketë frikën?”

, pyeti me shaka Edi Rama. Bashkbiseduesi vuri buzën në gaz.

“Pse duhet të jetë më i mirë Monaco? Pse të mos jemi ne më të mirët?”, i

u përgjigj Mohamed El Alabbar.

Dialogu u zhvillua më 31 dhjetor 2021, gjatë një inspektimi në portin e Durrësit, në prani të zv/kryeministrit Arben Ahmetaj dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

RonaTyra

Kreu i qeverisë së bashku me presidentin e kompanisë e “Emaar Group” zbritën në terren për të parë nga afër ku do të shtrihej projekti 2 miliardë euro, i cili parashikon ta “rilindë” Durrësin me porte jahtesh, 12 mijë të punësuar, 12 mijë banesa rezidenciale, 5 hotele me 850 dhoma dhe 250 poste për parkimin e anijeve dhe jahteve. Gjithçka e shtrirë në 79 hektarë.

Kompanisë i është dhënë statusi “investitor strategjik”.

Gjatë inspektimit në terren presidenti i “Emaar Group, El Alabbar dëgjohet t’i thotë kryeministrit se “nga fundi i marsit ose fillimi i prillit” do të nisë ndërtimi i portit të ri.

Marsi kaloi dhe prilli po largohet gjithashtu, por deri tani nuk ka ndonjë njoftim konkret për nisjen ose jo të punimeve në Durrës.

Komunikimi i fundit publik për këtë çështje është interpelanca e ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku me deputetin e PD, Ferdinand Xhaferaj, në shkurt të këtij viti. Në këtë interpelancë nuk jepen afate konkrete.

Por, disa veprime që kanë ndodhur kohët e fundit kanë hedhur dyshime serioze mbi besueshmërinë dhe transparencën e këtij projekti.

Në fillim të shkurtit, kompania guackë e Alabbarit, Symphony Invest Limited, e cila parashikohet të zhvillojë projektin 2 miliardë euro kërkoi të regjistronte në QKB, shitjen e aksioneve të saj tek një kompani e re.

Qendra Kombëtare e Biznesit nuk e regjistroi këtë akt që kish ndodhur në fund të dhjetorit të kaluar në ishujt Cayman.

QKB-ja kërkoi më tepër informacion lidhur me kompaninë e re, nga vjen, kush e ka në pronësi dhe çfarë aktiviteti ka. Deri tani nuk dihet cila është kompania që ka blerë firmën “Symphony” e cila do të realizojë projektin e “rilindjes” së portit të Durrësit. Blerësi është sekret dhe nuk dihet nëse është plotësuar dokumentacioni i kërkuar.

Kjo mund të jetë një nga arsyet e mosfillimit të punës për ndërtimin e “Durrës Yacht Marina”. Por mund të ketë dhe arsye të tjera.

Media të ndryshme kanë të paktën 1 vit që raportojnë se partnerët ndërkombëtarë janë të shqetësuar që një port i konsideruar për ta si strategjik po “i dhurohet” investitorëve të regjistuar në parajsa fiskale, të cilët përdorin si fytyrë publike një biznesmen të madh nga Emiratet Arabe. Gjithashtu, si arsye renditet edhe problemi i zbatimit të marrëveshjeve tregtare.
Projekti i Alabbarit parashikon zhvendosjen e portit tregtar, dhe kjo do ta bllokonte përkohësisht punën e portit të Durrësit. Por, ka kontrata tregtare që duhen zbatuar. Bllokimi i punës dhe rreziku i moszbatimit të këtyre kontratave, mendohet të jetë një tjetër shkak që projekti nuk ka nisur ende.

Një vit e gjysmë pas shpalljes së projektit ambicioz, ka më shumë pyetje se përgjigje. Pse nuk ka nisur ende ndërtimi i “Durrës Yacht Marina” kur u tha se kjo do bëhej në fund të marsit dhe fillim të prillit? Pse duhej marrë një kompani e regjistruar në parajsat fiskale, kur në fillim u tha se portin do ta ndërtojë “Emaar Group”? Pse nuk u hap një tender ndërkombëtar, por porti u caktua me procedurë të veçantë një firme të regjistruar në Ishujt Cayman?

Pyetje, të gjitha pa përgjigje.

Dyshimi është se përtej premtimeve të stërmëdha për t’ia kaluar Monte Carlos, ky projekt do “katandiset” thjesht në ndërtimin e pallateve të reja duke e betonizuar akoma më tej qytetin e Durrësit në zonën përreth portit. Fundja, ç’është ky “projekt porti” që përfshin 12 mijë banesa rezidenciale? Një tjetër pyetje pa përgjigje.

“S’ka kohë për pushim”,

citon sllogani i Edi Ramës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu