Gjigandi
Ballina Lajme Shqip Presidenti Meta nderon Dibrën!

Presidenti Meta nderon Dibrën!

0
5

Dibra dhe ne dibranët, të gjallë dhe të vdekur, jemi me fat, pasi në krye të shtetit tonë amë, Shqipërisë, kanë qenë figura, si ç’është edhe Ekselenca e Tij, zoti Ilir Meta, që kanë ditur dhe kanë dashur t’i respektojnë kontributet e mëdha që kanë dhënë dibranët ndër shekuj për çlirimin, mbrojtjen territoriale, mëkëmbjen dhe përparimin edhe në fushat e politikës, ekonomisë, kulturës, artit dhe sportit kombëtar të Shqipërisë.

Për këtë u jemi mirënjohës sot e mot, siç u kemi qenë mirënjohës edhe në të kaluarën. Po t’i përmendim të gjithë kontribuesit dibranë për kauzën e shenjtë kombëtare, do të na dilte një listë e shumë e gjatë, por disa duhet përmendur, siç është figura e Vehbi Dibrës, S.Najdenit, J.Erebara, Sh.Langu, I.Dibra Shatku, J.Bagerit, etj.

Dhe, siç thashë më lart, këto figura kanë marrë mirënjohje e urdhra nderi nga krerët e shtetit shqiptarë, siç është edhe rasti i sotëm, kur z. President dorëzon Titullin “Kalorës i urdhrit të Flamurit” patriotit Teodor Jovan Dibra, për kontributin e tij për mëkëmbjen e kishës dhe shkollës shqipe në anët tona. Teodori ishte vëllai i poetit dhe patriotit të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare, Josif Bageri, i cili para pak vitesh u dekorua me Urdhrin e lartë Nderi i Kombit, nga një presidenti paraardhës, z. Bujar Nishani.

Të dashur bashkëqytetarë të mi, bashkë me ju, edhe unë sot jam e nderuar që, në emër të familjarëve të klerikut dhe iluministit Teodor Dibrani, dhe si kryetare e parë e Shoqatës Josif Bageri, po e pranoj këtë mirënjohje të lartë. Teodori, gjatë gjithë jetës së tij u përpoq për hapjen e kishës në Nistrovë, duke mbajtur meshën në gjuhën shqipe, njëlloj si kleriku dhe patrioti Papa Kristo Negovani, i cili është prifti i parë që mbajti liturgjinë në gjuhën shqipe, duke e paguar me kokë këtë shërbim fetar kombëtar.

Atë e vranë çetat shoviniste greke më 1905, siç e vranë edhe At Stath Melanin më 1917. Teodori ynë, bashkë me të vëllain, Josifin, çelën dhe kishën e parë shqipe në Nistrovë. Ai, në vitin 1910, bëri përpjekje për të hapur edhe kishën e parë shqipe në Sofje, por Sinodi i Kishës bullgare nuk e lejoi. Armiqtë e Kishës shqiptare, si dhe popullit shqiptarë kanë bërë çmos që të mos ketë liturgji në gjuhën shqipe. Për këtë flet fakti që nga themelimi i saj në Kongresin e Beratit më 1922, kur u zgjodh Sinodi i Shenjtë me në krye kryepeshkopin Visarion Xhuvani, deri tek pranimi zyrtar nga Patrikana e Stambollit, kaluan rrafsh 15 vjet, kur u zgjodh Sinodi me në krye kryepeshkopin Kristofor Kisi. Pra, në themelet e Kishës Autoqefale Shqiptare, është edhe sakrifica e Teodor Dibranit.

Dhe nesër, ditën e diel në orën 12, dibranët e mi të dashur, në të gjitha kishat do mbahet mesha e rregullt, por në asnjërën prej tyre nuk do të mbahet liturgjia e përshpirtshme për Teodorin tonë. Ne këtu, ua falëm sllavëve kishat tona, bashkë me një pjesë të popullit tonë dhe mbetëm, siç thotë peshkopi Noli, i cili përktheu librat fetarë në gjuhën shqipe, për nevojat e kishës sonë, Pranë dijes të panxënë. I kemi kishat, por na janë zaptuar, jo vetëm ato të Patrikanës së Ohrit, por edhe Kisha e Mbigurit, së cilës, për motive që mund të merren me mend, ia vunë zjarrin. Nisma për zgjimin kombëtar të shqiptarëve ortodoksë, mbeti në fillimet e saj.

Meshë të përshpirtshme për Teodor Dibranin, nuk do të ketë as në kishat e Shqipërisë, se në krye të Sinodit gjendet përfaqësuesi i një kishe të huaj, e cila ka bërë çmos për mosekzistimin e saj. Por, Zoti nuk e ka thënë që gjendja nuk do të ndryshojë, por Zoti pret ndihmën tonë. Më lejoni t’i bëj një falënderim të veçantë Bashkësisë Dibrane në Tiranë, për nismën e këtij akti madhështor, që sot ne e festojmë, dhe kjo nismë besoj se nuk do të jetë e fundit. Ju faleminderit dhe gëzuar festat e Nëntorit.

Delvina Kërluku, Presidenti Meta

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu