Pengmarrje për një fjalë goje/ “Ma bëre borxh, të fus plumbin kokës!”

0
Gjigandi

Tre të rinj janë në pritje të vendimit të gjykatës pas një hetimi njëvjeçar dhe një sërë rrëfimesh që tregojnë se si ata rrëmbyen një nxënës, pasi ai ishte konflikuar me njërin prej tyre në korridorin e shkollës. Fillimisht debatet mes adoleshentëve nuk kanë qenë as për ndonjë çështje të mbartur dhe as për ndonjë interes. Mosmarrëveshja mes E.L., nxënës në vitin e katërt në një shkollë private në rrugën “Islam Alla” dhe nxënësit tjetër E.U. (pengu), siç kuptohet nuk kanë asnjë motiv real. Nxënësi rrëmbyes është shkëmbyer në korridor me E.U. dhe befas e ka pyetur “a je tu më njof që po më shef?”. Në dëshminë e tij, adoleshenti tregon se i është përgjigjur i çuditur se “as të njoh dhe as nuk po të shoh”.

“Ai vazhdoi duke më thënë “mos e ngri zërin”, shton nxënësi. Gjatë këtij momenti të pakuptimtë mes nxënësve, sherrin e ka shuar një mësuese e cila ka dalë në korridor dhe i ka urdhëruar të dy nxënësit të futen në klasa. Ditët në vazhdim kanë qenë normale për të riun E.U. Por ndërkohë, sipas burimeve të gazetës “Si”, secili prej nxënësve nuk lëvizte më vetëm, as në lagje dhe as në shkollë.

“Isha me shokët e klasës S.M dhe M.K. përballë një lokali. Aty u afrua një mjet Volksëagen tip “Transporter”, brenda të cilit gjendeshin gjashtë persona. Në mes tyre unë njoha E.L. Ky hapi derën, më kapi nga krahu dhe më futi me zor në makinë. Ma mori telefonin, e fiku dhe më tha “do shkojmë në Dajt!”.

Sipas burimeve të gazetës “Si” teksa automjeti është larguar nga vendi i rrëmbimit të nxënësit, pengu tregon në polici se kishte replikuar me nxënësin tjetër sepse sipas tij nuk kishte asnjë arsye pse të shkonin në Dajt. Por makina ishte parkuar para një universiteti në kryeqytet. “E.L. më tha “kam dëgjuar se do t’më rrahësh. Po të flas si njeri, se di të bëj edhe video, ku të rrah të shaj dhe di të të marr peng e të të hedh në një vend që s’të gjen njeri. Kjo të jetë hera e fundit, po ma bëre borxh do të fus plumbin kokës!”.

I traumatizuar, nxënësi shpjegon se nuk kishte pasur asnjëherë përplasje, se nuk kishte folur askund për konfliktin në korridor, pasi ishte diçka e papërfillshme.

RonaTyra

“I thashë që s’kam pasur asnjëherë punë me ty dhe nuk të kam borxh asgjë.

Në këtë moment më bërtiti: “dil, nëse ke punë me mua unë të zhduk!”

Prokuroria i hetoi për mëse një vit adoleshentët E.L., E. P., dhe B.M., që të tre prezentë në makinën që sipas prokurorisë i hoqi për disa minuta lirinë nxënësit E.U.

Dy shokët e tij që gjendeshin me të në çastin kur ai u rrëmbye, japin detaje që përputhen me deklaratën e kallëzuesit. Dëshmitarët shpjegojnë se ngjarja ka ndodhur sapo kishin dalë nga shkolla, pasi kishin mbaruar mësimin.

“Pashë që shoferi ishte me syze, aty njohëm vetëm E.L. që është nxënës në shkollën tonë. E.L. hapi derën e makinës dhe e futi me zor E.U. Përpara se makina të largohej na u drejtua: “nëse doni dhe ju të bëni ndonjë xhiro…”, rrëfen një nga dëshmitarët.

Pas kësaj ngjarjeje dy nxënësit kanë njoftuar në telefon familjen e shokut të klasës për gjithçka ata panë. Siç konstaton prokuroria në dosje, policia u vu në dijeni nga të afërmit që teksa telefononin djalin, telefoni i dilte i fikur. Kur familja dhe policia ra në kontakt me të, i kërkuan të paraqitej në zyrat më të afërta policore që ndodhen në rrugën “Myslym Shyri”.

Rrëmbyesit

Por edhe nxënësi rrëmbyes pretendon se ishte ndjerë i kërcënuar nga E.U.

Madje sipas tij kishte qenë ky i fundit që e pyeste “pse më sheh?” dhe “a më njeh?”. Adoleshenti justifikohet se në njërën nga këto ditë, teksa ai po jetonte në stres, i kishin shkuar në lagje dy shokët e tij për ta qetësuar.

Ditën e ngjarjes adoleshenti pretendon se doli xhiro më dy shokët e tjerë – edhe ata nën akuzë – dhe se kur kishin parë E.U., i kishte thënë me shumë edukatë “a ke mundësi të vish të sqarojmë pak debatin?”. Madje, sipas tij, në këto çaste sqarimi kur nxënësi E.U. ka hipur vetë në makinë, ai me edukatë sipas tij, ka ftuar edhe shokët e E.U. “Pyeta edhe shokët e tij “a doni të vini dhe ju?”. Gjatë atyre ditëve pasi ishim shkëmbyer në korridor, kam dëgjuar nga nxënës të tjerë që E.U. do të dilte me shokët dhe do më thernin”, thuhet në dosje.

Prokuroria këmbëngul se ky sqarim është heqje e paligjshme e lirisë, thënë ndryshe pengmarrje dhe kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim parashikon tre deri në shtatë vjet burgim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu