Pas tragjedisë në Kombinat/ Financimi i sekteve fetare, SPAK nis hetimet

0
Gjigandi

Tragjedia e Kombinatit, ku nënë e bijë humbën jetën përmes vetëflijimit dhe vajza tjetër e familjes arriti të shpëtojë ndonëse është ende në gjendje të rëndë, është kthyer në kryefjalë e të gjitha institucioneve ligjzbatuese në vend.

Pas veprimeve të para që janë kryer nga Policia e Shtetit, veprimet hetimore po kryhen nga një grup prokurorësh dhe oficerësh të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës.

Në fakt, ngjarja e kombinatit, po hetohet nga organi i akuzës së kryeqytetit, ndërsa hetimet e thelluara për financimin e sekteve fetare në Shqipëri janë pjesë e një dosjeje që po grumbullohet me të dhëna dhe do hetohet më tej nga SPAK.

Si financohen, kush i financon, si qarkullojnë paratë në emër të sekteve, apo organizatave të tjera fetare, si kryhen pagesa për të punësuar full time, apo part time, si operohet me dërgesat jashtë, paguajnë tatime në shtet apo jo edhe nëse janë organizata jofitimprurëse, kanë apo nuk kanë nipt e shumë të tjera si këto janë pjesë e një hetimi që sipas SPAK pritet të zgjasë në kohë, por që do të ketë një sqarim të plotë për funksionimin e tyre.

Prokurorët e SPAK ngrenë si shqetësim ligjshmërinë e këtyre sekteve, teksa i referohen dy neneve të Kushtetutës për të drejtat e njeriut lidhur me fenë, por nga ana tjetër do të marrin në konsideratë detyrimet ndaj institucioneve, pavarësisht sesi janë regjistruar.

RonaTyra

SPAK gjithashtu vë në dukje, se po punohet bashkarisht edhe me Gjykatën e Tiranës dhe Komitetin e Kulteve për të pasur një listë të plotë të emrave të sekteve apo organizatave dhe përfaqësuesit e tyre ligjore.

Sipas ligjit për Organizatat Jofitimprurëse në Shqipëri, regjistrimi në Gjykatë është institucioni që ligjëron aktivitetin, por ka disa detyrime për këtë. Së pari, duhet të ketë një adresë fikse, qoftë edhe hyrje apartamenti, duhet të ketë një statut, bord, ose drejtor; thënë ndryshe përfaqësues ligjor.

Kaq kërkon Gjykata, por më pas, ligjërisht aktiviteti ushtrohet duke respektuar ligjin dhe kryer regjistrimin në degën e tatimeve për pajisjen me numër nipt.

Ndaj SPAK po kërkon të dhëna të plota nga Gjykata e Tiranës, Komiteti i Kulteve dhe Dega e Tatimeve. Sipas burimeve hetimi do të përfshijë fillimisht Tiranën e më pas do shtrihet në rrethe të tjera të vendit, ku këto sekte apo organizata mund të kenë filialet e tyre.

Në kuadër të hetimeve ka mbërritur edhe një shkresë në Polici nga SPAK, me kërkesën për të vënë në dispozicion të gjitha hetimet qoftë edhe në rrugë operative për rastet kur Dëshmitarët e Jehovait, apo sekte të tjera janë vënë në qendër të vëmendjes, si shkak për vetëvrasje të ndryshme në Tiranë dhe jo vetëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu